
Nga "liria e shprehjes" te algoritmet e urrejtjes; teknologjia dixhitale po sfidon vetë themelet e shoqërive demokratike...
Dikur konsideroheshin si mjeti ideal për çlirimin e zërave të pavarur, për të sfiduar autokratët dhe për të përforcuar demokracitë.
Sot, rrjetet sociale po shihen gjithnjë e më shumë si faktorë destabilizues të vetë demokracive që i krijuan.
Një artikull i gjerë i publikuar në "Vijesti" analizoi ndikimin e rrjeteve sociale, algoritmave dhe teknologjive të reja në polarizimin e skajshëm të politikës perëndimore, përhapjen e dezinformimit, dhe rritjen e mosbesimit në institucionet publike. Ai vë në dukje që në vend të hapin diskutim dhe të forcojnë dialogun, rrjetet sociale po e thellojnë ndarjen mes qytetarëve, duke ndihmuar ngritjen e populizmit dhe ekstremizmit.
Shembulli i Irlandës së Veriut është domethënës: autorja e artikullit thekson se nëse referendumi i vitit 1998 për Marrëveshjen e Paqes do të zhvillohej sot, në epokën e rrjeteve sociale, nuk do të kalonte. Arsyeja? Algoritmet nuk favorizojnë pajtimin, por polarizimin.
Studimet e Francis Fukuyama dhe të tjerëve tregojnë se interneti ka ndryshuar rrënjësisht terrenin politik. Mungesa e filtrave të informacionit, dobësimi i autoriteteve tradicionale (media, institucione, akademikë), dhe shpërndarja virale e përmbajtjeve emocionale nxisin kërkim të identiteteve gjithnjë më të ngurta dhe armiqësore ndaj "tjetrit".
Rreziku nuk është vetë politik. Të dhënat nga SHBA tregojnë lidhje mes rritjes së problemeve mendore te adoleshentët (veçanërisht vajzat), dhe kohës së kaluar në rrjete sociale. Algoritmet favorizojnë pamjen, krahasimin, ndarjen dhe shpesh... përjashtimin.
Artikulli e përmbledh me një thënie të fuqishme: "Demokracia qëndron mbi kapacitetin e qytetarëve për të ndarë fakte të përbashkëta dhe për të pranuar kompromisin. Rrjetet sociale, në formën që janë sot, e minojnë atë."
Për vendet e Ballkanit, si Shqipëria, ku institucionet demokratike ende janë të brishta dhe ku mediat tradicionale nuk e gëzojnë besimin e gjerë të publikut, ndikimi i rrjeteve sociale është edhe më i rrezikshëm. Çdo platformë bëhet lehtësisht terren për përhapjen e urrejtjes, nacionalizmit ekstrem, ose dezinformimit të importuar nga aktorë të jashtëm.
Në Shqipëri, mungesa e edukimit mediatik, kombinimi me mungesën e transparencës në politikë dhe me një klimë të polarizuar partiake, e bën hapësirën dixhitale të prekshme ndaj manipulimeve. Politikanët nuk janë më burim informacioni, por shpesh vetë burim dezinformimi, ndërsa mediat shpesh ndjekin logjikën e klikimeve, jo të së vërtetës.
Në këtë realitet, është e domosdoshme një strategji kombëtare për edukimin mediatik që nga shkolla e mesme, forcimi i rregullatorëve të pavarur dhe transparenca algoritmike. Përndryshe, Shqipëria rrezikon të bëhet një laborator eksperimental i keqpërdorimit të teknologjisë në politikë; ku nuk fitojnë më idetë më të mira, por më toksiket./Pamfleti
Burimi: Vijesti.me (origjinali në gjuhën malazeze)
Lini një Përgjigje