TAGS-AT E JAVËS

Kulture11 Maj 2024, 20:10

Eurovizioni, aty ku politika vlen më shumë se muzika!

Shkruar nga Françeska Salvatore
Eurovizioni, aty ku politika vlen më shumë se muzika!
Këngëtarja izraelite

Si përfundoi Eurovizioni nga një festival kënge, në një festival ku luhet politika e botës?

Ja merrte mendja kujt në vitin 1974, kur Abba-t rrëmbyen zemrat me melodinë e "Waterloo"-së, se sa i fuqishëm mund të bëhej Eurovizioni pesëdhjetë vjet më vonë.

Një nga ngjarjet më të ndjekura të këngës në botë, e cila ra në harresë mes viteve 1990 dhe 2000, rifitoi forcën rreth dhjetë vjet më parë, kur u shfaq Conchita Wurst, e cila habiti njerëzit në mbarë Evropën. Që atëherë, ngjarja është bërë shumë e popullarizuar në mesin e të rinjve, duke kurorëzuar hite të shumta ndërkombëtare.

Por ajo që ka ndryshuar historinë e kësaj ngjarjeje, shpeshherë të animuar nga banda groteske të muzikës botërore, është shndërrimi i saj në një festival gjeopolitik, ku këngët nuk thonë kurrë atë që thonë në të vërtetë; ku - pavarësisht rregulloreve të rrepta - ende hyjnë tensionet mes shteteve dhe politikës ndërkombëtare.

Temat e ndaluara, kohëzgjatja e shfaqjeve, numri i njerëzve në skenë, kufizimet në flamuj dhe simbole, ndërsa bota zien. Dhe pastaj është mekanizmi - shumë i rafinuar - i televotimit: askush, nga shtëpia e tij, nuk mund të votojë për këngëtarin që përfaqëson kombësinë e tij. Kështu, në këtë mekanizëm vëllazërimi të imponuar, ndodhin rivalitete ataviste mes vendeve që nuk do të votojnë kurrë për njëri-tjetrin. Po ashtu kemi konfirmimet e miqësisë disa dekadash mes vendeve partnere.

Një shfaqje e cila, pra, është gjithçka përveç muzikës. Këtë e di mirë grupi “Kalush”, një grup hip-pop ukrainas, i cili fitoi dy vjet më parë me këngën “Stefania”. Një këngë që “me sa duket” përfaqësonte një odë për nënat, burime dashurie dhe guximi, pa asnjë referencë për luftën që shpërtheu disa muaj më parë. Megjithatë, nga skena prestigjioze e Torinos, gjashtë interpretuesit me praninë e tyre të thjeshtë dërguan një mesazh të fuqishëm: nuk është rastësi që, në kundërshtim me rregullat e lojës, drejtuesi i grupit në fund të njërës prej shfaqjeve bërtiti me zë të lartë dhe të qartë për audiencën: " Ju lutemi ndihmoni Ukrainën, Mariupol, ndihmoni Azovstal tani!

Eurovizion 2024

Dhe arrijmë në vitin 2024. Asnjëherë ky festival nuk mund të ishte më delikat. Në fakt, sytë e këtij viti janë diku tjetër. Nga njëra anë, kriza në Lindjen e Mesme, e cila varion nga përplasja mes Iranit dhe Izraelit deri te kriza humanitare në Gaza, duke kaluar përmes terroristëve të Hamasit; nga ana tjetër, dy vitet e luftës midis Rusisë dhe Ukrainës. Tridhjetë e shtatë kombe që konkurrojnë, duke përfshirë disa kombe joevropiane, duke përfshirë Australinë dhe Izraelin, por edhe Armeninë dhe Azerbajxhanin, territore që janë larg nga konfliktet e vazhdueshme, por në të vërtetë, pretendentë të drejtpërdrejtë në luftën e përgjakshme vëllavrasëse të Nagorno Karabakut.

Por që nga fillimi vëmendja ishte te flokëkuqja Eden Golan, këngëtarja që përfaqësonte Tel Avivin. Njëzet e një vjeçare, vajzë e prindërve hebrenj që emigruan në Bashkimin Sovjetik, ajo ndezi polemika të shumta që në fazën e përzgjedhjes paraprake. Kënga e saj “Uragani”, në fakt, fillimisht titullohej” Shiu i Tetorit”, me një referencë shumë specifike ndaj sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor. Nën presionin e UER (Unioni Evropian i Transmetimeve), titulli u modifikua më pas për të qenë në përputhje me standardet apolitike të kërkuara nga konkursi. Kënga është një alegori shumë e rafinuar dhe tregon për një grua që del nga një krizë personale, e cila humbet veten dhe ngrihet përsëri. Por edhe para se të ngjallte polemika jashtë vendit, kënga mori shumë kritika nga shtypi kombëtar izraelit, i cili akuzoi autorët e tekstit se ishin tepër të ndrojtur, pa pasur guximin për të bërë deklarata domethënëse.

Megjithatë, autorët mbrojtën metodën "ukrainase", pra atë të përcjelljes së kuptimit të thellë përmes një kënge të vetme të dukshme. Një mekanizëm paradoksal, duke patur parasysh se një përqindje e mirë e këngëve në konkurrim kanë tashmë një referencë politike të mbuluar nga gjethet qesharake të fikut.

Por pikërisht në Suedi gjërat janë bërë më të ndërlikuara. Sheshet suedeze dukej se ishin të trazuar për ditë të tëra në pritje të ardhjes së këngëtares dhe vetëm dje mijëra njerëz u mblodhën për të demonstruar kundër pranisë së këngëtares, duke valëvitur flamujt palestinezë dhe duke brohoritur kundër Tel Avivit. Gjithashtu nga ky këndvështrim, masat e sigurisë në Malmö Arena janë forcuar si dhe u shtua kontrolli mbi simbolet dhe flamujt.

Sa shanse ka ajo për të fituar? Shumë pak, por televotimi do të jetë në gjendje të na japë një pamje të rëndësishme, edhe pse jo absolute, të ndjenjës evropiane ndaj Izraelit. Kënga, e cila do të përfundojë në harresë si shumica e atyre që kalojnë në skenën e Eurovizionit, në fakt nuk është çështja më e rëndësishme. Vetë pjesëmarrja e Izraelit është një fakt politik. Në fakt, ai e lidh edhe një herë Tel Avivin me fatet e Perëndimit dhe Evropës. /Përshtati “Pamfleti” nga “Inside Over

Lini një Përgjigje