
Një 37-vjeçar është shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, pasi iu zbulua skema e mashtrimit. Bëhet fjalë për Kreshnik Drishtin, i cili merrte makina me qira e më pas i shiste te persona të tjerë.
Nga verifikimet ka rezultuar se ai ka vjedhur dhjetëra automjete luksoze. Pasi i merrte me qira, Drishti i shiste me kontratë noteriale, të cilat bëheshin tek noterja Xhoana Omari.
Kontrata ishte e rregullt dhe tek shitësi vendosej firma e pronarit të ligjshëm përmes falsifikimit. Mësohet se Drishti e merrte kontratën nga noterja me argumentin se do ia çonte pronarit për ta firmosur dhe më pas e kthente sërish aty, nga ku rezultoi se firma ishte e falsifikuar.
Policia ka marrë në pyetje noteren, e cila ka dëshmuar se nuk kishte dijeni se kontratat e lëshuara prej saj ishin me firmë të falsifikuar duke u justifikuar se me klientin e saj Kreshnik Drishtin kishte kohë që bashkëpunonte dhe kishte mirëbesim. Pavarësisht deklaratës së saj, noterja po hetohet në gjendje të lirë.
37-vjeçari dyshohet të jetë larguar jashtë vendit, ndërsa ndaj tij janë bërë disa denoncime në Tiranë, Fier, Durrës, e në qytetet të tjera.
Lini një Përgjigje