Raportohet se personat që alarmuan qytetarët dhe policinë janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Zbardhen detaje të reja nga plagosja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Tiranë te zona e Liqenit Artificial.
Sipas dëshmitarëve dhe këqyrjes së kamerave të sigurisë, mësohet se 7 persona kanë qenë të ulur së bashku në një tavolinë brenda në restorant te rruga “Sami Frashëri” ndërsa 2 prej tyre janë konfliktuar me fjalë dhe më pas kanë goditur njëri-tjetrin.
Personat e përfshirë në konflikt janë shoqëruar nga policia mbrëmjen e djeshme, teksa mes tyre ka edhe të arrestuar në lidhje me ngjarjen.
Një person u qëllua me armë zjarri dhe u dërgua në një spital privat në Tiranë pas ngjarjes.
Si nisi konflikti?
Sherri ka nisur nga dy persona, ku njëri prej tyre i ka dhënë dorën të gjithë personave në tavolinë, ndërsa personi tjetër ka refuzuar duke e ofenduar. Më pas sherri ka degraduar në konflikt fizik dhe me karrige.
Gjatë sherrit është qëlluar edhe me armë zjarri, ndërsa personat e përfshirë më pas janë larguar me 4 makina me shpejtësi të gjithë nga vendi i ngjarjes për t’i shpëtuar policisë.
Sapo ka mbërritur brenda në lokal policia ka konstatuar një gëzhojë dhe njollat e gjakut brenda ambientit të restorantit ku ndodhi konflikti, po ashtu ka sekuestruar edhe armën e zjarrit tip pistoletë e cila ishte lënë brenda në restorant nga autori, pasi dyshohet që gjatë përleshjes fizike i ka rënë në tokë.
Arma është dërguar në laborator për t’u bërë ekspertiza për të zbuluar ADN dhe shenjat e gishtave.
Ndërkohë nga të shtënat me armë është plagosur një person, i cili dyshohet se u transportua në një spital privat. Ndërsa, sipas informacioneve paraprake mësohet se përplasja mes tyre ka ndodhur për paratë me fajde.
Deri më tani, nuk ka asnjë informacion rreth identitetit dhe moshës së të plagosurit, apo të personave të tjerë të pranishëm në vendngjarje. Edhe pse kanë kaluar 12 orë nga ngjarja Policia ende nuk ka sjellë një njoftim zyrtar.
Lini një Përgjigje