TAGS-AT E JAVËS

Kronike15 Prill 2025, 16:59

Vrau të riun nga Kukësi, dëshmitarja nxjerr blof "Kobrën": Sherri nuk nisi për faturën, e qëlloi pasi i ngacmoi partneren

Shkruar nga Pamfleti

Vrau të riun nga Kukësi, dëshmitarja nxjerr blof

Zbardhen detaje te reja nga vrasja në lokalin “Cobra City” në Kosovë. Autori Dritan Hoxha vra një 31-vjeçar nga Kukësi dhe plagosi një 27-vjeçar. U deklarua se motiv i vrasjes dhe plagosjes ishte mospagimi i faturës prej 400 euro.

Dëshmitarja me inicialet A.S., e cila ka qenë e punësuar në atë lokal, deklaroi se i pandehuri Roland Susuri kishte hequr CD-në e kamerave të sigurisë dhe e kishte parë atë me armë. Sipas saj, motivi i vrasjes nuk kishte lidhje me një faturë prej 400 eurosh.

“E kam parë Rolandin duke e tërhequr nga rryma një pajisje dhe duke nxjerrë CD-në, madje më tha “çka po i çel sytë”… Ai kishte me vete armë”, dëshmoi A.S.

Dëshmitarja tha gjithashtu se ishte kërcënuar nga Susuri përmes të dashurës së tij, pasi ajo e kishte përmendur emrin e tij gjatë një deklarate në Prokurori.

Ajo shtoi se ditën e ngjarjes kishte parë armë në të dy grupet e përfshira në incident – si tek pala e të ndjerit nga Kukësi, ashtu edhe tek grupi i Susurit. Sipas A.S., disa minuta pasi Dibran Hoxhaj kishte hyrë në lokal dhe kishte ngritur zërin ndaj stafit për dëmet që i ishin shkaktuar lokalit, mbërriti Policia.

Ajo theksoi se konflikti nuk kishte të bënte me mosshlyerjen e një fature, por kishte shpërthyer për shkak të një konflikti mes të ndjerit V.C. dhe të akuzuarit Susuri, pasi i ndjeri kishte ngacmuar ish-të dashurën e këtij të fundit. Sipas dëshmitares, Susuri i kishte kërkuar V.C.-së që të mos e prekte vajzën dhe të mos e filmonte, por kjo nuk ishte respektuar. Madje, V.C. e kishte shtyrë Susurin dhe i kishte thënë se donte të takohej me dajën e tij, Dibran Hoxhajn.

“Më kujtohet që i tha: “’Mos më prek’ dhe pastaj shtoi që donte të takohej me Dibranin”, rrëfeu A.S.

Në momentin kur nisi krahasimi i dëshmisë së saj në gjykatë me atë të dhënë në Prokurori, A.S. mohoi disa nga deklaratat e shkruara atje, duke thënë se ato nuk ishin fjalët e saj dhe se as firma nuk ishte e saj. Në fund, dëshmitarja kërkoi ndërprerjen e seancës për arsye familjare, kërkesë që u pranua nga trupi gjykues.

Lini një Përgjigje