TAGS-AT E JAVËS

Kronike10 Shkurt 2025, 13:48

Vrau me thikë Martin Canin, Apeli rrëzon sërish kërkesën e Mario Përlleshajt; i mituri mbetet në burg!

Shkruar nga Pamfleti

Vrau me thikë Martin Canin, Apeli rrëzon sërish

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, ka hedhur poshtë kërkesën e avokatit të Mario Përlleshajt, për zëvendësimin e masës së sigurimit “arrest në burg”.

Përfaqësuesi ligjori i të miturit që akuzohet se vrau me thikë 14-vjeçarin Martin Cani, kërkoi që Përlleshajt të dilte nga burgu dhe të futej në “arrest në shtëpi”, gjë që është hedhur poshtë nga Gjykata.

Krimi i rëndë u regjistrua më 18 nëntor 2024, pranë shkollës “Fan Noli” në kryeqytet, ku pas një konflikti mes disa adoleshentëve mbeti i vrarë 14-vjeçari Martin Cani dhe u plagosën dy bashkëmoshatar, njëri prej të cilëve autori i ngjarjes.

Njoftimi i Gjykatës:

Referuar interesimit të medias, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Mbi kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është zhvilluar gjykimi lidhur me “Informacionin dy mujor për të miturin në konflikt me ligjin, ne lidhje me zbatimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, ku përfaqësuesi ligjor i të miturit në konflikt me ligjin kërkoi “zëvendësimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje e kryer në rrethana cilësuese”, të parashikuar nga neni 79 shkronja “a” të Kodit Penal.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr…. akti, datë 23.01.2025, ka vendosur:

-Rrëzimin e kërkesës së të miturit në konflikt me ligjin “…”, me objekt zëvendësim  mase  sigurimi personal.

-Vijueshmërinë e zbatimit të masës së sigurimit personal “arrest në burg”, ndaj të miturit në konflikt me ligjin “…”.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të paraqitur, nga i mituri në konflikt me ligjin shtetasin “…, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit  të Përgjithshëm Tiranë, zëvendësimin e masës së sigurimit  nga “arrest në burg” në atë të “arrest në shtëpi”.

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 10.02.2025, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj. Elona Mihali, vendosi:

– Miratimin e vendimit nr…. akti, datë 23.01.2025 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Lini një Përgjigje