TAGS-AT E JAVËS

Kronike15 Qershor 2023, 13:59

Vrau kolegun brenda në komisariat, prokuroria kërkon 35 vite burg për ish-policin

Shkruar nga Pamfleti

Vrau kolegun brenda në komisariat, prokuroria kërkon 35 vite burg

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënimin me 35 vite burg për Ludjan Zaimin, i cili vrau kolegun e tij brenda në komisariat.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 23 majit 2022. 25-vjeçari pas disa debateve me kolegun e tij Çaush Saliasi, e qëlloi këtë të fundit me të paktën shtatë plumba.

Mbrojtja ka paraqitur edhe argumenta sa i përket trajtimit të klientit të tyre me medikamente pasi vuante nga çrregullime të shëndetit mendor, por kjo gjë nuk ka pasur vlerë.

Prokuroria e akuzon ish-policin për “vrasje të punonjësit të policisë” ndërsa mbrojtja ka pretenduar se vrasja nuk ka ndodhur për shkak të detyrës, por për shkak të marrëdhënieve personale mes dy kolegëve.

Paraprakisht është raportuar se Zaimi e kishte planifikuar vrasjen e kolegut që shërbente për më shumë se 20 vjet në radhët e Policisë së Shtetit. Prej kohësh ai ankohej për daljen në shërbim me të, tregonte se Saliasi e bullizonte, e shante, e quante ‘qorr’ dhe nuk ia kursente as personat e familjes. Por, të gjitha këto ankesa, kishin rënë në vesh të shurdhër. Situata kishte vijuar e tillë deri më 23 maj, ditë kur po bëhej instruktazhi. Pamjet e rënda që u publikuan në media treguan se si Saliasi la sallën e u ul në shkallën pranë derës së komisariatit. Fill pas tij, doli 25-vjeçari Zaimi. Pas pak sekondash, i riu nxjerr armën dhe nis të qëllojë pa ndalim në drejtim të 55-vjeçarit. Pavarësisht se ky i fundit tentoi të mbrohej, nuk ia doli dot. Mori plumbat në pjesë të ndryshme të trupit në sy të të paktën nëntë kolegëve që i vetmi veprim që bënë ishte të ngrinin duart lart.

zaimi prokuroria

Lini një Përgjigje