
Policia ka zbardhur detaje nga vrasja e 50-vjeçarit Alfred Dedja në një lokal në Ndroq. Mësohet se viktima Alfred Dedja, i cili thirrej “Daku”, ka qenë i armatosur. Grupi hetimor i ka gjetur një pistoletë në trup, e cila u sekuestrua si provë materiale.
Ndërkohë, policia po vijon kontrollet, kërkimet dhe ka shoqëruar disa persona për t’i marrë në pyetje lidhur me ngjarjen.
Autori i vrasjes, 26-vjeçari Julian Gjoshi figuron një emër i njohur për policinë, i arrestuar me armë pa leje dhe i dehur në muajin janar të vitit 2021, sikurse del edhe në përgjimet e SKY ECC. Gjoshi, nga Shijaku, rezulton kunati i Altin Hajrit, pronarit të kompleksit “Golden” dhe i kërkuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jani Prengës në vitin 2020.
Policia ka bërë shoqërime të shumta dhe marrje në pyetje të personave, kryesisht në cilësinë e dëshmitarëve. Viktima ka qenë me persona të tjerë në tavolinë duke drekuar, kur Gjoshi ka hyrë dhe e ka qëlluar direkt me armë ndaj tij.
Grupi hetimor po punon për të konfirmuar edhe një pistë zyrtare për ngjarjen, teksa dyshohet prishja e pazareve të drogës. Mësohet se ka pasur edhe konflikte më të hershme mes tyre. Kontrollet janë përqendruar kryesisht në zonën e Shijakut, Durrësit dhe më gjerë.
Viktima jetonte kryesisht mes Italisë dhe Shqipërisë dhe mes dy personave ka pasur njohje të hershme. Dyshohet se autori mund të ketë pasur edhe një person ndihmës për largim nga vendngjarja, por pamjet e mundshme të kamerave të sigurisë mund të zbardhin detaje të tjera nga dinamika e krimit.
Lini një Përgjigje