Klaudio Prendi, i cili u ekzekutua me pistoletë me selenciator sapo hyri në makinën e tij "G Class" dyshohet se kohët e fundit kishte përplasje me persona të tjerë për borxhe.
Policia e Tiranës ka shoqëruar disa persona në lidhje me vrasjen e 27-vjeçarit Klaudio Prendi më 19 Nëntor 2024.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se mes të shoqëruarve ka dyshime se mund të jenë edhe autorë ose porositësit e vrasjes mafioze.
Personat e shoqëruar janë lënë të lirë, pasi ende nuk ka prova ndaj tyre.
Klaudio Prendi gjatë vitit të fundit ka patur përplasje me disa persona të tjerë, shkak borxhesh dhe llotosh.Sherrin e fundit e kishte një muaj përpara se të ekzekutohej me pistoletë me silenciator në rrugën Xhanfize Keko në Tiranë.
Targa e mjetit tip Audi që u përdor nga autorët ishte vjedhur në Greqi, por edhe pse pala shqiptare i ka kërkuar informacion homologëve helen, ende nuk u ka ardhur përgjigje.
Klaudio Prendi, djali i ish-gjyqtarit Fran Prendi u vra sapo doli nga një lokal dhe u fut në mjetin e tij luksoz tip Benz G Class.
Ai u dërgua te Trauma, por nuk i mbijetoi dot plagëve të marra.
Dosja i ka kaluar SPAK për shkak se dyshohet se autorët i përkasin grupit të strukturuar kriminal.
Si ndodhi vrasja?
Klaudio Prendi u ekzekutua pak pasi kaloi mesnata e 18 Nëntorit sapo hipi në makinën e tij pranë Xhamllikut në Tiranë, ndërsa më herët kishte qenë në lokal në shoqërinë e miqve të tij, përfshirë disa efektivë policie.
Autorët qëlluan nga një makinë “Audi” dhe iu deshën vetëm 4 sekonda për të shtënë 5 plumba, që i morën jetën në spital 27-vjeçarit.
Me të po pinin më herët kafe 3 efektivë policie, 2 prej të cilëve e dërguan në spital, ndërsa i treti ndoqi makinën e autorëve, por humbi gjurmët pranë rrethrrotullimit të Farkës.
Ndërkohë rezultoi se makina tip "Audi" e autorëve të vrasjes së Klaudio Prendit, e cila u gjet e shkrumbuar në zonën e Farkës, një orë pas vrasjes rezulton e vjedhur rreth një vit më parë në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë. Identifikimi është bërë nga numri i shasisë së makinës, e rikuperuar nga ekspertët.
Policia po heton pistën e borxhit 15 mijë euro dhe aktivitete të paligjshme në fushën e fajdeve dhe lojërave të fatit.
Babai i tij, gjyqtari Fran Prendi i larguar nga sistemi i drejtësisë me dorëheqje, njihet për dënimin e grupeve të mëdha kriminale, përfshirë Emiljano Shullazin. Gjykoi dhe Salvatore Lettizian, një anëtar i Camorras italiane, për masakrën me tre viktima në bulevardin “Zogu I” në vitin 2015.
Deri tani nuk ka asnjë gjurmë nga autorët, ndërsa pistat që po verifikohen nga grupi hetimor është ajo e fajdeve dhe basteve sportive, përfshirë edhe lidhje me aktivitete dhe lidhje të dyshimta jashtë vendit. Ka dyshime se persona të ndryshëm të kenë fituar shuma të mëdha parash në baste, të cilat Prendi nuk u ka shlyer.
Lini një Përgjigje