TAGS-AT E JAVËS

Kronike 8 Gusht 2023, 09:49

Vrasja e Gentian Taljas në ish-Bllok, arrestohet pas 5 muajsh 26-vjeçari në Tiranë

Shkruar nga Pamfleti
Vrasja e Gentian Taljas në ish-Bllok, arrestohet pas 5 muajsh
Gentian Talja dhe Henri Gjapi

Henri Gjapi i shpallur në kërkim është vënë në pranga nga policia, pothuajse 5 muaj pas ngjarjes së rëndë që ndodhi mesnatën e 31 marsit në ish-Bllok, ku si pasojë e një konflikti mbeti i vdekur Gentian Talja.

Gentian Talja pasi u konfliktua me Henri Gjapin, të dy në gjendje të dehur, ra në tokë dhe goditi kokën. Pavarësisht ndihmës nga mjekët, 46-vjeçari vdiq 4 ditë më vonë në spital.

"Si rezultat i analizës së riskut dhe i veprimeve të thelluara gjatë verifikimit të gjenealiteteve, në hyrje të RSh-së, u vu në pranga një shtetas i shpallur në kërkim për “Vrasje nga pakujdesia”. Në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe për vënien e tyre përpara përgjegjësisë penale, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, si rezultat i analizës së riskut dhe i veprimeve të thelluara gjatë verifikimit të gjenealiteteve të një shtetasi, kanë ndaluar shtetasin: – H. Gj., 26 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”.

Më datë 31.03.2023, në rrugën “Vaso Pasha”, shtetasi H. Gj. është konfliktuar me shtetasin G. T., 46 vjeç, i cili për shkak të dëmtimeve është dërguar në spital, për ndihmë mjekësore. Gjatë këtij konflikti, ka ndërhyrë edhe shtetasi A. Gj., i cili ka goditur shtetasin H. Gj. Si pasojë e dëmtimeve, 46-vjeçari ka ndërruar jetë në spital. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.", njofton policia.

 

gentian talja ish bllok vrasje 26-vjecari

Lini një Përgjigje