TAGS-AT E JAVËS

Kronike31 Mars 2026, 18:40

Vrasja e Andi Malokut, Gjykata e Lartë mbyll përjetë në qeli Redjan Rrajën

Shkruar nga Pamfleti
Vrasja e Andi Malokut, Gjykata e Lartë mbyll përjetë në qeli
Andi Maloku-Redjan Rraja

Redjan Rraja u dënua me burg përjetë nga Gjykata e Lartë pasi akuzohet si autor i atentatit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoji, shoferit të tij, Andi Maloku dhe Aleksandër Lahos alias Pëllumb Muharremit, i njohur edhe si “Rrumi” i Shijakut.

Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Redjan Rrajën, i shpallur fajtor për vrasjen e Andi Malokut dhe atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, ku u vra shoferi i tij Andi Maloku dhe mbeti i plagosur Aleksandër Laho, i njohur si Pëllumb Muharremi.

Kolegji Penal i kësaj gjykate vendosi të rrëzojë rekursin e paraqitur nga Rraja, duke konfirmuar vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të datës 4 qershor 2024.

Në të njëjtin vendim, Gjykata e Lartë la në fuqi edhe dënimin me 35 vite burg për Arjol Halilajn, i akuzuar për përfshirje në të njëjtën ngjarje kriminale.

Trupa gjykuese, e përbërë nga gjyqtarët Sokol Binaj, Ilir Panda dhe Sandër Simoni, e cilësoi rekursin e dy të dënuarve si të pabazuar, duke mbyllur kështu një nga çështjet më të bujshme penale të viteve të fundit.

Dy të dënuarit kishin kundërshtuar vendimet e mëparshme të drejtësisë, pasi ishin shpallur fajtorë edhe nga shkalla e dytë, por kërkesa e tyre nuk u pranua.

Kujtojmë se, Redjan Rraja u shpall fajtor për një sërë akuzash të rënda që lidhen me atentatin e ndodhur në vitin 2019 në zonën e Shkozetit, në Durrës.

Akuza kryesore ndaj tij është vrasja e Andi Malokut, i cili ishte shofer i prokurorit Arjan Ndoja. Maloku humbi jetën si pasojë e plagëve të marra gjatë atentatit me armë zjarri ndaj automjetit ku udhëtonte.

Një tjetër akuzë është “vrasje e mbetur në tentativë” ndaj prokurorit Arjan Ndoja. Sipas hetimeve, ai ishte objektivi kryesor i sulmit, por arriti të mbijetojë pavarësisht plagëve.

Po ashtu, Rraja është dënuar edhe për “vrasje të mbetur në tentativë” ndaj Aleksandër Lahos, i njohur si Pëllumb Muharremi, i cili ndodhej në të njëjtin mjet dhe mbeti i plagosur gjatë atentatit.

Sipas dosjes hetimore, ngjarja konsiderohet një atentat i organizuar, ku ndaj automjetit u qëllua me breshëri armësh, duke shkaktuar një viktimë dhe dy të plagosur.

 

Lini një Përgjigje