Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur dy ditë më parë në fshatin Pirg të Maliqit, ku 14-vjeçari Enedio Guri dyshohet se vrau me thikë bashkëmoshatarin e tij Erald Xhejo, familja e autorit është larguar nga banesa.
Sipas burimeve nga zona, shtëpia e familjes Guri në fshatin Leminot është mbyllur, ndërsa pjesëtarët e saj janë zhvendosur, pavarësisht se kryefamiljari ndodhet në burg pas arrestimit.
Ndërkohë, edhe lokali ku ndodhi ngjarja, ndonëse hetimet dhe këqyrja e vendit të krimit kanë përfunduar, ka qëndruar i mbyllur gjatë gjithë ditës së sotme.
Policia ka vënë në pranga tetë persona, një ditë pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Maliq, ku u vra me thikë një 14-vjeçar nga një bashkëmoshatar i tij.
Përmes një komunikate për mediat, policia bën me dije se është arrestuar 14-vjeçari i dyshuar për krimin, i cili pas ngjarjes tentoi të largohej me automjet. Po ashtu janë vënë në pranga edhe të afërm të tij, mes të cilëve babai dhe xhaxhai, të cilët akuzohen se fshehën thikën me të cilën u krye krimi, me qëllim pengimin e hetimeve.
Në pranga përfunduan edhe katër të mitur që ndodheshin në vendngjarje dhe kishin tentuar të pengonin zbulimin e së vërtetës përmes deklarimeve të rreme, si dhe një 34-vjeçar nga i njëjti fshat që u përpoq të largohej bashkë me adoleshentin e dyshuar.
Gjatë hetimeve janë sekuestruar thika me të cilën dyshohet se u krye krimi, automjeti me të cilin tentuan largimin dhe pesë aparate celularë.
Lini një Përgjigje