Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në Korçë, ku futbollisti egjiptian i Skënderbeut, Saleh Nasr Salem, është dhunuar fizikisht nga një grup të rinjsh.
Sulmi ka ndodhur në lagjen nr. 16 të qytetit dhe nuk ka lidhje me aktivitetin e tij si sportist, apo ndonjë përplasje në fushën e futbollit.
Në pranga kanë rënë Vangjel Jovani dhe Thanas Veshi të dy 24 vjeç dhe banues në fshatin Polenë të akuzuar për plagosje të rëndë me dashje.
Ndërsa të proceduarit në gjendje të lirë janë Th.V. 32 vjeç, A.Xh. 23 vjeç, e J.O. 24 vjeç si të përfshirë në sherr, ndërsa i katërti Dh.M. 25 vjeç i akuzuar për moskallëzim krimi pasi kishte dijeni për sherrin mes të rinjve dhe nuk ka treguar.
Policia thotë se ngjarja ka ndodhur pas një sherri mes palëve.
"Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të Policisë:
U arrestuan në flagrancë dy shtetas: V. J. dhe Th. V., të dy 24 vjeç, banues në fshatin Polenë;
U proceduan penalisht në gjendje të lirë edhe tre të tjerë: Th. V. (32), A. Xh. (23) dhe J. O. (24), të cilët akuzohen për përfshirje në dhunë;
Gjithashtu, u procedua për moskallëzim të krimit edhe shtetasi Dh. M., 25 vjeç, banues në fshatin Rëmbec, i cili ishte i pranishëm gjatë ngjarjes.
Ngjarja ka tronditur opinionin sportiv dhe qytetarët në Korçë, por autoritetet kanë qenë të shpejta në identifikimin dhe ndalimin e autorëve. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e konfliktit, ndërsa klubi i Skënderbeut ende nuk ka reaguar zyrtarisht për incidentin që përfshin lojtarin e tyre.", njofton policia.
Lini një Përgjigje