
Një gjyqtar në Gjykatën e të Miturve në Bolonja ka dënuar me 17 vite burg autorin e vrasjes së shqiptares Aurora Tila, 13 vjeçe.
Bëhet fjalë për një djalë 16-vjeçar, i cili dyshohet se kishte pasur lidhje me të miturën shqiptare. Ngjarja ka ndodhur më 25 tetor 2024, ndërsa Tila humbi jetën pasi ra nga ballkoni i katit të shtatë të ndërtesës ku jetonte.
Prokurori kishte kërkuar një dënim prej 20 vitesh e 8 muajsh, ndërsa mbrojtja kishte kërkuar lirim nga akuzat.
Në atë kohë u dyshua se viktima kishte rënë aksidentalisht nga lartësia, por hetimet zbuluan implikimin e 16-vjeçarit.
Dëmtimet në pjesën e pasme të kafkës zbuluan se ajo ka rënë mbrapsht, ndoshta si pasojë e një shtytjeje, dhe jo që është hedhur. Kjo ishte hipoteza e mjekut ligjor Giovanni Ceçhetto, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore i Universitetit të Pavias, e paraqitur në përfundimet e autopsisë së kryer mbi vajzën.
Skenari i paraqitur përputhet me atë të përshkruar në urdhrin e paraburgimit të Gjykatës për të Mitur të Bolonjës kundër ish-të dashurit të Aurorës, i cili u arrestua nën akuzën e vrasjes me dashje. Në atë kohë, autori i dyshuar i krimit, vetëm 15-vjeç, mohoi që të kishte shtyrë 13-vjeçaren.
Aurora, sipas autopsisë, kishte fraktura të shumta, të gjitha të lidhura me rënien nga lartësia. Por ato fatale do të kishin qenë dëmtimet në kokë, të cilat kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Një tjetër pikë kyçe e ekzaminimit është përqendruar në dëmtimet e konstatuara në duart e vajzës, veçanërisht në kyçet e duarve.
Karabinierët e njësisë hetimore të Piacenzës, të cilëve u janë besuar hetimet, kanë mbledhur dëshmitë e tre personave që pretendojnë se kanë parë ose dëgjuar atë që ndodhi mes Aurorës dhe ish-të dashurit të saj në tarracë.
Dy prej tyre pretendojnë se kanë qenë dëshmitarë të skenës, edhe pse nga një distancë e caktuar. Një i tretë thotë se ka dëgjuar britmat e dëshpëruara të vajzës.
Sipas rrëfimeve të tyre, Aurora është parë e varur pas parmakut, ndërsa djali godiste me grushta mbi duart e saj.
Lini një Përgjigje