Katër viktima në tre ditët e para të vitit 2025...
Viti i Ri ka nisur me aksidente të shumta automobilistike, të cilat kanë marrë dhe jetë njerëzish.
Pas vdekjes së vajzës 24-vjeçare në Bilisht dhe një personi sot në Lezhë, një aksident tragjik u ka marrë jetën dy personave në Vaun e Dejës.
Mësohet se një makinë tip "Benz" ka dalë nga rruga në fshatin Mjedë duke përplasur dy kalimtarë. Nga të dhënat paraprake, flitet se viktimat janë xhaxha dhe nip. Ata janë identifikuar si Ndue dhe Ndrekë Prenga, 63 dhe 43 vjeç.
"Rreth orës 17:00, në fshatin Mjedë, shtetasi G.B, duke drejtuar automjetin tip "Mercedes Benz", ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti ka dalur nga rruga, duke ka përplasur dy këmbësorët, shtetasin N. P., 63 vjeç, i cili si pasojë e përplasjes ka humbur jetën në vendngjarje dhe shtetasin N. P., 43 vjeç., i cili ka humbur jetën gjatë transportimit për në Spital.
Nga përplasja është dëmtuar dhe drejtuesi i automjetit, shtetasi G. B., i cili ndodhet në Spital, për ndihmë mjeksore, i shoqëruar nga efektivë të Policisë, pasi pas marrjes së ndihmës mjeksore do shoqërohet në Komisariat për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit", njofton policia.

Aksidenti i parë tragjik ndodhi më 1 janar, ku dy automjete u përplasën në aksin Bilisht-Korçë dhe për pasojë humbi jetën Zoi Ksila, 24-vjeç.
Zoi, ishte vajza e dy prindërve me origjinë shqiptare, por kishte lindur e rritur në Greqi ndaj mbante pasaporte greke. Ajo erdhi për të festuar Vitin e Ri bashkë me të fejuarin shqiptar por nuk u kthye gjallë në vendin e saj, për shkak se makinat u përplasën vetëm 20 km pa mbërritur në Kapshticë. Aksidenti i rëndë u shënua rreth orës 22:00, në aksin nacional "Korçë-Bilisht", ku mungon plotësisht ndriçimi.
Në aksident u përfshinë "Peugeot" që drejtohej nga Klaudio Kishta, i fejuari i viktimës dhe “Benz”-i që drejtohej nga Trifon Mehmeti. Shkak dyshohet shpejtësia e dy drejtuesve që janë ndaluar nga policia si dhe manovra e gabuar në timon.
Viktima e dytë u shënua sot paradite në Lezhë. Një furgon u përplas me një motor. Për pasojë ndërroi jetë në spital drejtuesi i motorit. Viktima është Pavlin Ndoji, 56 vjeç.
Po ashtu ka pasur dhe shumë aksidente të tjera, por fatmirësisht pa viktima. Viti i Ri ka shtuar fluksin e automjeteve në vend dhe përveç trafikut kilometrik, ka dhe aksidente. /Pamfleti
Lini një Përgjigje