Policia ka vënë në pranga pronarin e lokalit “Club Orange” në Sarandë në të cilin humbi jetën një 17-vjeçar pak kohë më parë.
Spiro Iljadhi, u shpall në kërkim nga Policia për ngjarjen tragjike të ndodhur në orët e para të 26 korrikut.
Adoleshenti Antonio Delilaj kishte shkuar të merrte disa koli me ujë, kur kavoja është këputur dhe ashensori e ka zënë sipër.
I vetmi që u arretua në pranga ishte tekniku i ashensorit, shtetasi Lulzim Allkushi, ndërsa u shpall në kërkim pronari i “Club Orange”, Spiro Iljadhi. Ky shtetas nuk u gjet në ambientet e lokalit kur grupi hetimor ka shkuar në vendin e ngjarjes. Sot ai është arrestuar në pikën kufitare të Qafë Botës.
Spiro Iljadhi dhe familjarë të tij drejtojnë disa biznese në qytetin e Sarandës dhe të paktën 37 vjeçari nuk është një emër i panjohur për uniformat blu. AI ka qenë shpesh i shoqëruar dhe arrestuar për ngjarje në qytetin bregdetar, ndërsa dy vite më parë i shpëtoi mrekullisht vdekjes.
Disa të rinj nga Tepelena ishin duke konsumuar pije e duke kërcyer në lokalin e tij “Club Orange” dhe debatuan me rojen e sigurisë, derisa u nxorrën në rrugë. Në debat dyshohet se është përfshirë atë kohë dhe Spiro Iljadhi.
Redjan Hadëri dhe dy shokët e tij, vëllezërit Andrea dhe Visi Caushi u kthyen disa momente më pas në lokal dhe nga shkallët përballë hyrjes kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi, duke shkrehur rreth një karikator.
Ballina e lokalit u mbush me plumba dhe pronari Spiro Iljadhi hapi zjarr me pistoletën që mbante me vete.
Për pasojë, pronari i “Club Orange” mbeti i plagosur bashkë me një turist. Të dy u dërguan në spital dhe shpëtuan. Iljadhi kishte disa plumba në bark dhe u dërgua më vonë me helikopter në Spitalin e Traumës.
Lini një Përgjigje