TAGS-AT E JAVËS

Kronike22 Maj 2026, 16:25

U qëllua me plumb në kokë nga dy vëllezërit shqiptarë, marokeni humb jetën në spital pas 4 muajsh!

Shkruar nga Pamfleti
U qëllua me plumb në kokë nga dy vëllezërit
Foto ilustruese

Ka ndërruar jetë në spital shtetasi maroken i cili u qëllua me armë zjarri katër muaj më parë pas një konflikti me dy vëllezër shqiptarë në Itali.

Ngjarja ndodhi më 10 janar 2026 pranë tavernës “Da Poldo”, në zonën e Terme, ku 38-vjeçari maroken mbeti i plagosur rëndë pas një sherri që nisi brenda lokalit. Ai u qëllua me dy plumba në kokë dhe që prej asaj dite ndodhej i shtruar në spitalin Careggi, në gjendje kritike.

Sipas mediave italiane, mjekët kishin deklaruar se plumbat kishin depërtuar shumë thellë në kokë, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen kirurgjikale për heqjen e tyre. Pas katër muajsh në spital, 38-vjeçari nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra.

Sipas rindërtimit të ngjarjes nga policia italiane, konflikti nisi fillimisht mes viktimës dhe 31-vjeçarit shqiptar brenda lokalit. Në vendngjarje ndodhej edhe vëllai i tij 33-vjeçar.

Pas të shtënave, dy vëllezërit u larguan nga vendi i ngjarjes duke e lënë marokenin të shtrirë në tokë, por rreth 30 minuta më vonë u vetëdorëzuan në komisariat.

Hetuesit italianë thanë se viktima ishte person me precedentë penalë dhe se disa ditë para ngjarjes ishte përfshirë edhe në episode të tjera dhune. Ndërkohë, dy shqiptarët kanë deklaruar para autoriteteve se marokeni po i ngacmonte vazhdimisht për t’u marrë pije.

Sipas dëshmisë së tyre, njëri prej vëllezërve, i irrituar nga sjellja e 38-vjeçarit, ka tentuar ta largojë duke e goditur me armë në kokë, moment në të cilin arma është shkrehur aksidentalisht.

Dy shqiptarët rezultojnë të paligjshëm në Itali dhe pa precedentë penalë. Megjithatë, pas vdekjes së marokenit, pozita e tyre penale pritet të rëndohet ndjeshëm, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.

marokeni humb jetën në spital dy vëllezërit shqiptarë vrasje itali

Lini një Përgjigje