
Dy të mitur janë aksidentuar pasi janë hedhur nga një shkëmb në det në plazhin e Himarës. Policia bën me dije se të miturit janë afruar te disa shkëmbinj dhe pasi kanë zbritur nga mjeti lundrues Jet Ski, kanë hipur në shkëmbinj, për t’u hedhur në det.
Mësohet se 16 vjeçari, banues në Tiranë, pasi është hedhur në det, ka pësuar dëmtime të rënda në fytyrë dhe në kokë, për shkak se ka rënë afër shkëmbit. Në këtë moment është hedhur në det edhe shoku i tij, shtetasi 17 vjeç, banues në Tiranë, për ta ndihmuar, por nuk ka mundur dot sepse është dëmtuar edhe ai vetë.
17-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa 16-vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë dhe po transportohet me helikopter në drejtim të Tiranës, për ndihmë mjekësore më të specializuar.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë vendore dhe ato të Policisë Kufitare, si dhe grupi hetimor, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë, është shoqëruar në Komisariat dhe po merret në pyetje pronari i mjeteve lundruese.
Lini një Përgjigje