
Ja saga e procesit gjyqësor ndaj Frrokut dhe si u arratis...
Gjykata e Strasburgut prish vendimin ndaj Arben Frrokut, i dënuar me burg përjetë për vrasjen e komisarit Dritan Lamaja!
Gjykata e të Drejtave të Njeriut vlerëson që procesi gjyqësor kundër Arben Frrokut, përmban shkelje të të drejtave të tij, e si i tillë ai duhet të rigjykohet të paktën nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.
Mbrojtja e z. Frroku, avokati Tonin Prendi ankimoi në Strasburg për disa shkelje çështjen Frroku e më datë 14 janar të këtij viti, gjykata dha verdiktin.
Vendimi unanim i Strasburgut detyron shtetin shqiptar të rihapë çështjen në këtë gjykatë, duke i dhënë Frrokut mundësinë për një shqyrtim të ri. Po në mënyrë unanime, Strasburgu ka rrëzuar kërkesën e Frrokut për dëmshpërblim 50 mijë euro dhe kompensim shpenzimesh 10 mijë euro.
I dënuari për vrasjen e komisar Dritan Lamaj u arrestua nën një identitet të rremë nga policia hollandeze, në vitin 2016, ku dhe ndodhet.
Arben Frroku është dënuar si autor i vrasjes së komisarit Dritan Lamaj më 24 shkurt 2013. Biznesmeni Frroku, njëherazi ish-kryetar i një partie politike që u drejtua më pas nga i vëllai, Mark Frroku mohoi autorësinë gjatë procesit, duke përdorur si alibi udhëtimin e tij drejt Greqisë. Avokati i tij pretendoi se Frroku ndodhej në afërsi të Elbasanit, në momentin kur ndodhi vrasja.
Megjithatë, Prokuroria dha një tjetër version në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Përmes një eksperimenti policor, grupi hetimor pretendoi se koha ishte e mjaftueshme për Frrokun që të kryente vrasjen dhe të mbërrinte në pikën kufitare në momentin e treguar nga kamerat.
Në anën tjetër, Prokuroria siguroi dëshminë e një personi, i cili përfitoi më pas statusin e mbrojtjes. Dëshmitari okular me emrin e koduar Arben Ndoka pohoi në Gjykatë se e kishte parë Frrokun pa maskë, në makinën prej nga u qëllua Lamaj.
Dy pretendimet u përplasën në Gjykatën e Shkallës së Parë, prej nga doli i fituar Arben Frroku. Ai u shpall i pafajshëm më 3 prill 2015. Ai u dënua në gjykatën e apelit më 29 qershor 2015, pak ditë pasi qe larguar nga Shqipëria.
Vëllai i tij, Mark Frroku, arriti të bëhej deputet në zgjedhjet e vitit 2013, si kryetar i partisë KristianDemokrate, aleate e koalicionit qeverisës të udhëhequr nga Partia Socialiste. Ai dha dorëheqjen si deputet pasi u arrestua, i kërkuar nga drejtësia belge për vrasje.

Lini një Përgjigje