TAGS-AT E JAVËS

Kronike19 Korrik 2024, 16:16

U arrestuan pas dëshmive të Nuredin Dumanit, GJKKO jep vendimin për Agron Qafën dhe Florenc Çekrezin

Shkruar nga Pamfleti

U arrestuan pas dëshmive të Nuredin Dumanit, GJKKO jep vendimin

Emrat e tyre dolën nga dëshmia e Nuredin Dumanit si persona të përfshirë në disa ngjarje kriminale.

Gjykata e Posaçme Anti-korrupsion ka dhënë vendimin per te pandehurit Agron Qafa dhe Florenc Çekrezi.

GJKKO dënoi Agron Qafan me 8 vite burg dhe Florenc Çekrezin me 3 vite e 4 muaj burg, të cilët janë arrestuar në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë” që u ndërmor nga SPAK pas dëshmive të të penduarve të drejtësisë Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhës.

Agron Qafa, u gjet fajtor për  “Vjedhje me dhunë”, në dëm të shtetasit Hamit Haxhia, ngjarje e ndodhur në  shkurt të vitit 2013-të  në qytetin e Durrësit, kryer në bashkëpunimin  si pjesë e një  grupi kriminal.

Ndërsa Florenc Çekrezi akuzohet për “Shkatërrim prone me eksploziv” ndaj banesës së Talo Çelës në Elbasan dhe Mustafa Subashit në Durrës.

Njoftimi i GJKKO:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Dërgimin për gjykim të ҫështjes penale në ngarkim të të pandehurve Agron Qafa dhe Florenc Çekrezi.

Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Eglantina Mikani, Bib Ndreca dhe Olkeda Lice, me vendimin Nr. 46, datë 19.07.2024 vendosi:

Deklarimin fajtor të të pandehurit Agron Qafa për veprën penale të “Vjedhjes me dhune”, në dëm të viktimës ****, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi strukturuar kriminal” parashikuar përkatësisht nga nenet 139, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.

1.1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Agron Qafa për veprën penale “Grup i strukturuar kriminal” në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i dytë i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.

1.2. Në aplikim të nenit 55, paragrafi i parë i Kodit Penal, bashkimin e dënimeve dhe dënimin përfundimisht të të pandehurit Agron Qafa me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.

1.3. Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar i pandehuri përfundimisht me 8 (tetë) vjet burgim.

1.4. Në mbështetje të nenit 15, 16 pika 1, gërma a) të ligjit Nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, këtë dënim, i pandehuri Agron Qafa ta kryejë në një Institucion të Sigurisë së Lartë dhe llogaritja e dënimit fillon nga dita e arrestimit të tij.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Florenc Çekrezi për veprën penale të “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 152/1 dhe 25 të Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.

2.1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Florenc Çekrezi për veprën penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, të kryera në bashkëpunim të thjeshtë, në dëm të shtetasit ****, parashikuar nga neni 278/1 dhe 25 të Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 5(pesë) vjet burgim.

2.2. Në aplikim të nenit 55, paragrafi i parë i Kodit Penal, bashkimin e dënimeve dhe dënimin përfundimisht të të pandehurit Florenc Çekrezi me 5(pesë) vjet burgim.

2.3. Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar i pandehuri përfundimisht me 3 (tre) vjet e 4 (katër) muaj burgim.

2.4. Në mbështetje të nenit 15, 18 të ligjit Nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, këtë dënim, i pandehuri Florenc Çekrezi, ta kryejë në një Institucion të Sigurisë së Zakonshme dhe llogaritja e dënimit fillon nga dita e arrestimit të tij.

Provat materiale të disponohen në përfundim të gjykimit të procedimit të lidhur që gjykohet pranë kësaj gjykate.

Shpenzimet procedurale të kryera gjatë fazës së hetimeve si dhe shpenzimet gjyqësore sipas formularit bashkëlidhur, iu ngarkohen të pandehurve solidarisht.

Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të këtij vendimi.

Tiranë, më datë 19.07.2024

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

Lini një Përgjigje