Mes të pandehurve janë edhe vëllai dhe kushëriri i ish-deputetit socialist Eduard Ndreca, për të cilët janë kërkuar dënime me burg.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka paraqitur pretencën për një tjetër fraksion të dosjes “Revanshi”, duke kërkuar në total 56 vite burg për pesë të pandehur.
Sipas konkluzioneve përfundimtare të paraqitura në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), për ish-efektivin e RENEA-s, Adrian Pikli, është kërkuar dënimi me 10 vite e 6 muaj burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi zbret në 7 vite burg.
Për Edison Muçekun, SPAK ka kërkuar 9 vite burg, të cilat reduktohen në 6 vite me përfitimin e gjykimit të shkurtuar. I njëjti dënim është kërkuar edhe për Elvis Ndrecën, kushëririn e ish-deputetit socialist Eduard Ndreca, për të cilin 9 vitet burg ulen në 6 vite.
Ndërkohë, për Armando Ndrecën, vëllain e ish-deputetit Eduard Ndreca, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 15 vite burg, dënim që me gjykim të shkurtuar reduktohet në 10 vite. Për Deivis Bajramajn janë kërkuar 12 vite burg, të cilat zbresin në 8 vite.
Të pandehurit akuzohen për veprat penale “grup i strukturuar kriminal”, “kultivim i bimëve narkotike”, “armëmbajtje pa leje” dhe “sigurim i kushteve për të kryer vrasje”.
Sipas hetimeve të SPAK, më 4 nëntor 2020, në zonën e Urës së Tapizës në Fushë-Krujë, Albert Zaja, së bashku me persona të tjerë, ka tentuar të vrasë me armë zjarri Durim Bamin dhe Ervin Kodrën.
Po sipas dosjes hetimore, gjatë periudhës maj-korrik 2020, Albert Zaja dhe Edison Muçeku kanë siguruar mjetet e nevojshme për vrasjen e Hamza Terziut. Ndërsa në muajt korrik-gusht të të njëjtit vit, Elvis Ndreca dyshohet se ka siguruar kushtet dhe mjetet për vrasjen e Durim Bamit.
Hetimet pretendojnë gjithashtu se në tetor të vitit 2020, Armando Ndreca ka organizuar dhe financuar një grup të përfshirë në prodhimin dhe shitjen e 243 kilogramëve kanabis në Lezhë.
Ndërkohë, sipas SPAK, gjatë viteve 2020-2021, Deivis Bajramaj dhe Adrian Pikli dyshohet se janë përfshirë në aktivitetin e paligjshëm të tregtimit të armëve dhe municioneve, duke ua shitur ato edhe personave me precedentë penalë.
Sa i përket Albert Zajës, i cili hetohet në të njëjtën çështje, procedimi ndaj tij është veçuar dhe po trajtohet në një dosje të ndarë.
Ore pacavure, populli pret te denohen ata bajget e medhenj e ju merreni me bibilushet.