
Dy persona kanë mbetur të plagosur me armë zjarri si pasojë e një përplasjeje në Tetovë të Maqedonisë së Veriut.
Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme në hyrjen e Spitalit të Tetovës, ndërsa më herët ka pasur edhe një zënkë mes personave të përfshirë në këtë rast.
Sipas informacioneve paraprake, njëri nga të plagosurit është në gjendje të rëndë dhe është dërguar në Qendrën Klinike në Shkup.
“Sot rreth orës 18:05 në SPB Tetovë është raportuar se para hyrjes në Qendrën Urgjente në Spitalin Klinik të Tetovës janë qëlluar me armë zjarri dy persona nga fshati Gajre i Tetovës, të cilët kanë pësuar lëndime me armë zjarri. Shërbimet e SPB Tetovë dhe prokurori publik janë në vendngjarje dhe po ndërmerren masa për gjetjen e pesë personave të dyshuar në lidhje me rastin. Ndryshe, këtij rasti sot i ka paraprirë edhe një përleshje fizike mes njërit prej të plagosurve dhe njërit prej të dyshuarve për pjesëmarrje në të shtëna me armë zjarri. Rasti është duke u zbardhur”, njofton Ministria e Brendshme.
Lini një Përgjigje