
Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar sot në Kurbin.
33-vjeçari Gentjan Markaj ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një lokali në Kurbin, i cili ndodhej në pronësi të Fatjon Stakajt.
Fatmirësisht, nuk ka asnjë person të dëmtuar, vetëm dëme materiale. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur për motive të dobëta.
Sipas policisë, autori i dyshuar, sapo ka parë shërbimet e Policisë, është larguar mes parcelave të mbjella me misër, në drejtim të fshatit Gorre, duke marrë dhe armën e zjarrit me vete.
"Rreth orës 11:00, shtetasi G. M., 33 vjeç, dyshohet se për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të lokalit në pronësi të shtetasit F. S. Nuk ka asnjë shtetas të dëmtuar, vetëm dëme materiale.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, bashkë me grupin hetimor. Autori i dyshuar, shtetasi G. M., sapo ka parë shërbimet e Policisë, është larguar mes parcelave të mbjella me misër, në drejtim të fshatit Gorre, duke marrë dhe armën e zjarrit me vete.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të tij dhe në ndihmë janë nisur menjëherë Forcat Speciale Renea dhe Njësia Kombëtare e Sigurisë. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për sqarimin e rrethanave dhe sekuestrimin e provave, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti", njofton policia.
Lini një Përgjigje