TAGS-AT E JAVËS

Kronike24 Dhjetor 2023, 12:10

Të dënuar përjetë për masakrën e Lushnjës, "ushtarët" e Laert Haxhisë kërkojnë pafajësi në Gjykatën e Lartë

Shkruar nga Pamfleti

Të dënuar përjetë për masakrën e Lushnjës,

Dy ushtarët e Laert Haxhisë, Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshi nuk heqin dora nga lufta për të fituar lirinë.

Dy personat e dënuar me burgim të përjetshëm për ngjarjen e ashtuquajtura masakra e Lushnjës ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagosën dy të tjerë, kanë kërkuar pafajësi në Gjykatën e Lartë.

Rekursi i dorëzuar me datën 18 dhjetor nga avokati i mbrojtës Detar Hysi pritet të shqyrtohet në ditët në vijim.

Akuzat e ngritura ndaj tyre janë për “vrasje me paramendim për hakmarrje”, “vrasje në rrethana cilësuese” dhe “grup të strukturuar kriminal”.

Me datën 20 Mars 2023 Gjykata e Apelit të Posaçëm vulosi përfundimisht dënimin me burg për jetë për dy të rinjtë.

Sipas prokurorisë, grupi kriminal në fjalë ishte krijuar nga Laert Haxhiu me qëllim ekzekutimin e Xhulio Shkurtit, nipit të Aldo Bares, ish-drejtues i “bandës së Lushnjës”.

Nga të shtënat mbetën të vrarë Zamir Lafiti e Jurgen Hoxha dhe u plagosën Marjus Xhepexhiu e Bujar Turku. “Shënjestra” shpëtoi pa u lënduar në atentat pasi pak çaste para se grupi i miqve të tij të qëllohej me breshëri, ishte futur në një dyqan pranë vendit të ngjarjes.

Hetimet e prokurorisë kanë arritur në përfundimin se motivi i atentatit ka qenë hakmarrja për shkak të konflikteve mes familjeve të Xhulio Shkurtit dhe Laert Haxhiut, që prej vitit 1998.

Ndërkohë, pas deklarimeve të të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani, SPAK pretendon se ka dokumentuar 6 vrasje të kryera nga grupi kriminal i drejtuar nga Haxhiu. 

Historia e bandës së Lushnjes

Pikënisje e përplasjeve të përgjakshme mes bandave në Lushnje, ishte vrasja e Ramadan Shkurtit, vëllai i Alfred Shkurtit (Aldo Bares), deri atëherë efektiv i Forcave RENEA. Pas vrasjes së vëllait të tij, Bare, me qëllim hakmarrjen ndaj shtetasit Artur Daja, shokëve, miqve dhe të afërmve të tij, krijoi të ashtuquajturën "Bandë e Lushnjes".

Fillimisht në këtë grup u mblodhën Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Arben Borici, Enver Boriçi, Enver Dondollaku, shokë, miq dhe të afërm të pandehurit Aldo Bare e vëllait të tij Ramadan Shkurtit, të vrarë tashmë. Aldo Bare hakmerret ndaj Artur Dajës, të cilin pasi e ekzekuton i pret kokën dhe e shkelmon atë rrugëve të qytetit të Lushnjes.

Kronologjia e vrasjeve

Ramadan Shkurti ekzekutohet në vitin 1997 nga Artur Daja dhe bashkëpunëtorët e tij. Në datë 21.10.1998 në fshatin Grabian të qytetit të Lushnjës, pasi është dëgjuar një plasje eksplozivi, janë gjetur në vendngjarje pjesë të një trupi njerëzor të shpërndara.

Ditën e vrasjes së Artur Dajës, në sheshin e qytetit të Lushnjës, pjesëtarë të grupit kriminal, të drejtuar nga Aldo Bare, kanë shëtitur nëpër shesh kokën e prerë të kufomës, Artur Daja. Ndërmjet tyre, në ngjarjen kriminale të ekspozimit të kokës së prerë kanë qenë edhe të pandehurit Ilir Stergu, Arben Borici, Erion Cici, Arjan Alico, Enver Borici, Enver Dondollaku, shtetasi i vrarë Leonard Prifti etj. Të gjithë viktimat kanë qenë shokë, miq të shtetasit Artur Daja, i cili ishte kundërshtari i drejtuesit të organizatës kriminale të drejtuar nga Aldo Bare.

Krimet e Bandës së Lushnjes

Më datë 03.08.1997 në qytetin e Lushnjës vritet  është vrarë me armë zjarri shtetasi shqiptaro-maqedonas, Xhevat Demiri. Në hyrje të qytetit të Lushnjës, viktima së bashku me familjarë të tij, janë ndaluar nga katër persona të armatosur, ku ndërmjet tyre ishin edhe Ilir Stergu dhe Afrim Hoxha, Enver Dondollaku dhe Aldo Bare.

Pasi kanë vënë maskat në kokë ata kanë qëlluar në drejtim të shtetasit Xhevat Demiri, i cili kishte zbritur nga furgoni, duke i shkaktuar atij vdekjen. Ndërkohë, Arben Boriçi, i cili rrinte në një autoveturë afër vendit të ngjarjes, është afruar me shpejtësi dhe në të kanë hipur të gjithë personat e sipërcituar.

Ekzekutimi i Nimet Zenelit

Me datë 13.02.1998, në vendin e quajtur Kolonjë të rrethit Lushnjë, është vrarë me armë zjarri shtetasi Nimet Zeneli. Në rrugën automobilistike, persona të armatosur, ku ndërmjet të tjerëve edhe të pandehurit Arben Borici e Ilir Stergu, Enver Dondollaku dhe Aldo Bare, i kanë zënë pritë fuoristradës "Toyota" me targa FR 8079 A. Personat e armatosur pasi kanë parë furgonin të afrohej, kanë qëlluar me armë automatik në drejtim të tij.

Në fuoristradë udhëtonte shtetasi Gramoz Selmani, shoku i ngushtë i shtetasit Artur Daja, si dhe shtetasit Masar Aliu dhe Nimet Zeneli, shokë të shtetasit Gramoz Selmani. Ky i fundit, pas goditjes nga grupi i Aldo Bares, me qëllim për t’u shmangur nga goditja e grupit, fshihej tek shtetasit e sipërpërmendur. Menjëherë shoferi i furgonit, shtetasi Masar Aliu, ka nxjerrë nga rruga makinën dhe të tre personat janë larguar me vrap.

Të pandehurit Arben Boriçi dhe Ilir Stergu kanë ndjekur me vrap dy shtetasit, Nimet Zeneli dhe Masar Aliu, duke qëlluar me armë në drejtim të këtyre të fundit. Gjatë ndjekjes, Nimet Zeneli është plagosur me armë zjarri dhe nuk ka mundur të largohej.

I pandehuri Ilir Stërgu, së bashku me të pandehurin Arben Borici, i janë afruar të plagosurit dhe kanë qëlluar në drejtim të tij, duke i shkaktuar edhe vdekjen. Ndërsa dy shtetasit e tjerë, Gramoz Selmani dhe Masar Aliu, kanë mundur t’i shpëtonin ekzekutimit.

Banda e Lushnjes u kthye në "Komisariat"

Ndryshe nga të gjitha bandat që vepronin në vitin 1997 në vend, banda e Lushnjes, që u drejtua nga Aldo Bare, arriti të krijonte një komisariat të vetin në qytet, atë që mbahet mend edhe si “Komisariati Nr. 2”. Mbretërimi i tij në qytet zgjati për gati 10 vjet, deri në vitin 2006 ku u godit dhe koka e bandës, Aldo Bare i cili u arrestua në Maqedoni. Ndërsa më pas u ekstradua në Shqipëri me kërkesë të autoriteteve. Një vit më parë në shtator të 2017 Laert Haxhiu vrau me armë zjarri Jurgen Hoxhën dhe Zamir Latifin, ndërsa ka pasur si shënjestër nipin e Aldo Bares. 

masakra e lushnjes orges bilbili anterio kaloshi gjykata e larte

Lini një Përgjigje