TAGS-AT E JAVËS

Kronike 6 Dhjetor 2024, 10:18

Suel Çela sfidon SPAK nga arratia, ankimon masën e arrestit me burg; sot seanca në gjykatë për të shumëkërkuarin

Shkruar nga Pamfleti
Suel Çela sfidon SPAK nga arratia, ankimon masën e arrestit me burg;
Suel Çela

Gjykata e Posaçme shqyrton sot kërkesën e tij për zëvendësimin e masës së marrë në maj 2021 për llogari të dosjes “Plumbi i artë”.

Kreu i bandës së Elbasanit, Suel Çela ka ankimuar nga arratia, masën e parë të sigurisë “arrest me burg” e cila u vendos në maj të vitit 2022 në Gjykatën e Posaçme.

Çela u shpall në kërkim pas dëshmisë së Nuredin Dumanit.

Sipas SPAK, Çela porositi vrasjen e biznesmenit Lulzim Masha pranë Liqenit Artificial në Tiranë dhe gjithashtu dyshohet se ka porositur edhe vrasjen e Elton Kilës.

Ndërkohë, dy javë më parë GJKKO caktoi një tjetër mase sigurisë “arrest në burg” ndaj tij, si kreu i një organizate kriminale, pas zbardhjes së bisedave në SkyEcc.

Seanca për kërkesën e revokimit të masës së sigurisë do zhvillohet në orën 13.00 në Gjykatën e Posaçme.

Kujtojmë se Çela ndodhet në arrati dhe ende nuk është prangosur nga forcat e rendit.

Operacioni i SPAK

SPAK goditi grupin kriminal të Suel Çelës, një organizatë me bazë në Elbasan për trafikun ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine dhe shpërndarjen e saj në vende të Bashkimit Evropian. Banda kriminale, e cila synim kryesor ka pasur kontrollin e territorit kryesisht në Shqipërinë e Mesme, sipas SPAK, kishte depërtuar në sistemin e drejtësisë, në polici dhe në media, për të favorizuar anëtarët e organizatës kriminale, për të rënduar pozitën e kundërshtarëve, dhe për të goditur deri në vrasje, pjesëtarët e grupeve rivale të fisit Çopja. 

Me 21 masa sigurie, në mesin e të cilëve është edhe vetë kreu i bandës në kërkim ndërkombëtar Suel Çela, ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu në arrest me burg, ish-shefi i Krimeve, Dedan Gjoni, por edhe 2 gazetarët, Elton Qyno dhe Artan Hoxha, SPAK thotë se në hetime ndihmuan edhe bisedat e zbardhura nga komunikimet në aplikacionin e koduar SKyEcc, për zbërthimin e të cilit ndihmuan edhe autoritetet e huaja. 

Ndikimi në drejtësi

Sipas SPAK, organizata kishte arritur të korruptonte Dedan Gjonin (në arrest me burg edhe për dosjen Metamorfoza) i cili e ndihmonte organizatën me informacione, dhe ish-gjyqtaren Pajtime Fetahu e cila duke shfrytëzuar pozicionin e saj lehtësonte pozitën e drejtuesit Suel Çela dhe anëtarëve të tjerë të organizatës në proceset penale në ngarkim të tyre. Njëkohësisht – thotë zyrtarisht SPAK – grupit ndikonin te trupa gjyqësore për të rënduar pozitën ose masën e dënimit për anëtarët e grupit kundërshtar. Këto veprime të jashtëligjshme thotë SPAK, bëheshin në këmbim të favoreve dhe përfitimeve materiale, nga të ardhura që përfitoheshin nga trafiku i kokainës. 

Suel Çela– thotë SPAK ka synuar të manipulojë perceptimin publik për të inkriminuar rivalët e grupit Çopja, duke i paraqitur ata si të paprekshëm, me lidhje të mundshme me politikën. Për realizimin e këtij skenari, SPAK thotë se janë përdorur 2 gazetarët, ndaj të cilëve u caktua masa “detyrim paraqitje”. 

Planet për vrasje

Goditja më e fortë që grupi i Suel Çelës dyshohet se ka bërë ndaj rivalëve, është plani për të vrarë një nga njerëzit më të afërt të grupit Çopja, Bledar Muçën, i cili kishte shpëtuar në masakrën që iu bë Çopjave me 3 të vrarë e 6 të plagosur në lokalin e tyre në Elbasan. Muça cilësohej si njeriu më i afërt i numrit dy të organizatës, Florenc Çapja, që fshihet në Dubai. Bledar Muça u vra në Belgjikë më 22 janar të vitit 2022, por ndaj grupit të Suel Çelës SPAK ngre akuza vetëm për tentativën e vrasjes dhe jo ekzekutimin e tij jashtë vendit.

Sipas SPAK, Suel Çela fshihet edhe pas planit për të vrarë Ardian Çopjan, të konsideruar si kundërshtari më i fortë i tij. Dhe pikërisht me porosi të Suel Celës, dyshohet të jetë organizuar atentati me snajaper, më 8 qershor 2020 në Elbasan, vrasje që mbeti në tentativë, ndërsa pas këmbëzës dyshohet se ka qenë Prekë Kodra.

Tjetër akuzë e ngritur ndaj grupit të të shumërkuarit Suel Cela është sigurimi i kushteve dhe mjeteve për vrasjen e Elvis Koçit, në vitin 2020 në Elbasan, atentat që dështoi.

Vëllai i kreu të organizatë, Mario Çela sipas SPAK është ndër anëtarët kryesor të grupit bashkë me Xhino Rokën, biznesmeni Bujar Shega, truri financiar i grupit (i arrestuar në Milano) i cili pastronte paratë dhe Klaus Matishi, që siç thotë Prokuroria e Posaçme, angazhoheshin në planifikimin dhe ekzekutimin e veprave të rënda, përfshirë vrasjes dhe trafikun e kokainës. 

Trafiku i kokainës 

Në trafikun e kokainës, SPAK thotë se organizata e Suel Çelës, porosiste për kokainë grupe të tjera kriminale shqiptare me lidhje të forta me bandat vendase krimit në Amerikën Latine. 

“I gjithë aktivitetit financohej nga paratë që përfitoheshin nga aktiviteti kriminal i trafikimit të lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve si; Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda”, thotë SPAK.

Nga Amerika Latine kokaina trafikohej e fshehur në kontejnerë në mesin e produkteve të ligjshme, tranzit në disa porte europiane si Antverp e Roterdam. Por ka pasur edhe tentativa për të kryer transport të kokainës përmes aeroporteve të Belgjikës dhe Holandës.

Një pjesë e të ardhurave nga ky aktivitet kriminal investohej në blerjen e lëndës narkotike. Në gjendje cash-i në Shqipëri, në biznese në dukje të rregullt por edhe për të mbështetur infrastrukturën operative të organizatës dhe blerje influence në segmente të veçanta të sistemit të drejtësisë, policisë, medias dhe biznesit

SPAK thotë se ka dokumentuar gjithashtu edhe dy tentativë për të trafikuar 930 kg kokainë nga Ekuadori në Europë në dhjetor 2020 dhe 466 kg lokainë nga Ekuadori në Holandë në janar 2021.

Grupi akuzohen për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Ardian Çopjes, sigurimin e kushteve për të vrarë Elvis Koçin dhe Bledar Muçën, armë pa leje, organizatë kriminale, trafikim të drogës, grupit kriminal, korrupsion aktiv të funksionarëve të drejtësisë, shpërdorim detyre, pastrim parash, dhe korrupsion aktiv në sektorin privat. 

suel Çela spak

Lini një Përgjigje