TAGS-AT E JAVËS

Kronike18 Korrik 2024, 15:57

SPAK ka si provë dëshminë e gardistit Agron Malaj, dhënë në gjyq më 11 korrik 2012: - Qëlluam me fishekë luftarakë!

Shkruar nga Pamfleti

SPAK ka si provë dëshminë e gardistit Agron Malaj,

Agron Malaj: - Kam qëlluar edhe unë në turmë, por pastaj m’u bllokua arma; ka qëlluar dhe Njësia Nr. 2 e zjarrit, fillimisht me fishekë manovër e pastaj me fishekë luftarakë...

SPAK ka njoftuar, se hetimin për krimin shtetëror të 21 janarit, do ta fillojë me marrjen e dëshmive dhe provave nga familjarët e të vrarit Aleks Nika, pastaj me Sali Berishën, Lulzim Bashën, Ilir Metën, Edi Ramën, Ndrea Prendin etj., si dhe pranon dëshmi, indicie e prova të tjera.

Provë e fortë, që SPAK duhet të marrë për 21 janarin, janë deklarimet që “Kapiten i I” Agron Malaj, Shef i Njësisë Speciale të Zjarrit të Gardës, bëri në seancën gjyqësore të datës 11 korrik 2011.

Ja deklarimi i tij në seancë gjyqësore, si i proceduar penalisht:

PROKURORI: - Cila ishte detyra juaj në Gardën e Republikës? Ç’udhëzime kishit marrë ditën e ngjarjes? Na tregoni gjithë aktivitetin tuaj në lidhje me 21 janarin 2011.

AGRON MALAJ: - Detyra ime ishte Komandant Seksioni i Njësisë Speciale të Gardës. Më 20 janar mora urdhër nga komandanti i Njësisë Speciale për protestën.

Mora planin e masave nga shefi Alfred Ahmetcenaj, për planin e vendosjes së efektivëve të grupit tim, dhe sipas urdhrit kam rreshtuar efektivët e u bëra njohjen e detyrës përciptazi.

Më pas shkova në zyrë dhe bëra planin e vendosjes dhe mora masa nga kompletimi me armatim, uniformë dhe mjete speciale që më duheshin dhe ndava grupin sipas panit të masave.

GJYQTARI: - Sa veta kishe në grup?

AGRON MALAJ: - Unë kisha 6 veta. Më 21 janar në mëngjes, bëra dhe instruktazhin për detyrën, vendqëndrimin dhe misionin që ishte caktuar. Deri në orën 11:00 u bë njohja e efektivit me gjithçka. Në 11:45 u vendosëm te parkingu mbrapa kryeministrisë.

Efektivin e ndava në dy grupe. Spartak Zilja dhe Meleq Zajmin i vendosa nga ana e Rognerit; ndërsa unë, Gazmend Ahmetcenaj, Mark Nikolli e Sadik Çela u vendosëm nga ana e Piramidës, ku qëndruam afro 2.5 orë, ndërsa në orën 14:30 mora urdhër nga komandanti i Njësisë, Alfred Ahmetcenaj, për vendosjen e efektivit sipas planit të masave.

Pas 45 minutash turma u bë më agresive. U sulmua vendroja. U hap porta nga protestuesit. Roja u tërhoq, u tërhoq dhe Njësia Nr. 2, ndërsa turma u fut 20 metra brenda territorit kryeministrisë.

GJYQTARI: - Sa veta ishin?

AGRON MALAJ: - Ishin afro 100 veta. Pas këtyre thirrjeve u hap zjarr në ajër, që turma të mos afrohej më shumë drejt objektit. Unë nuk mund të qëlloja sepse m’u bllokua arma.

Kur turma avancoi, dhashë urdhër që efektivët të dilnin nga pozicioni e te sulmonin. Urdhri u dha pasi turma nuk po ndalonte. U bë një bllokadë aty dhe turma u ndal. Gjatë kohës u bëmë thirrje: “Dilni se jeni në zonë të rrezikshme!, por  nuk na dëgjonin dhe godisnin.

Më pas erdhi një seksion tjetër i Gardës, që ishin të pajisur me mjete policore, skafandra, shkopinj gome dhe mburoja. Këta i nxorën jashtë protestuesit.

PROKURORI: - Kur duhet të ndërhynte njësia juaj, sipas planit?

AGRON MALAJ: - Sipas planit, do të ndërhynim kur të tërhiqej Njësia Nr. 2 dhe ashtu bëmë.

PROKURORI: - Me çfarë mjetesh do të ndërhynit?

AGRON MALAJ: - Ne ishim grup mbështetës, ishim pa mbrojtje policore, kishim veç skafandër, anti plumb, armatim personal “MP-3A3” dhe pistoleta “Berret 9 mm”.

PROKURORI: - Meqë nuk kishte mjete, si do të ndërhynit?

AGRON MALAJ: - Do të ndërhynim ashtu siç e bëmë, me mjetet që kishim në dispozicion.

PROKURORI: - Si do të bëhej?

AGRON MALAJ: - Në momentin që turma do të acarohej, do të hapej porta, ne do të hapnim zjarr në ajër me tej sipas ligjit.

PROKURORI: - Kjo situatë, do të ndodhte edhe nëse turma do përparonte?

AGRON MALAJ: - Nuk do lëviznim. Do të zbatonim ligjin për përdorimin e armëve të zjarrit.

PROKURORI: - Në instruktazh, çfarë bëtë?

AGRON MALAJ: - U shpjegua plani, pozicioni, ligji për përdorimin e armëve dhe misioni.

PROKURORI: - Ç’parashikon ligji? Kur dhe si përdoren armët?

AGRON MALAJ: - Neni 25 i ligjit për Gardën, parashikon që efektivi i Gardës hap zjarr kur sulmohen personalitete të larta shtetërore, objektet e rëndësisë së veçantë. Mënyra e hapjes së zjarrit ka disa masa: paralajmërim me gojë, zjarr në ajër dhe hapje zjarr nga mesi e poshtë.

PROKURORI: - Me çfarë lidheshit atë ditë me efektivët?

AGRON MALAJ: - Me radio. Unë me efektivin tim kam komunikuar me zë, pasi i kisha nga një metër larg. Me eprorët në radio.

PROKURORI: - Cili epror ishte i pranishëm?

AGRON MALAJ: - Ishte komandanti im, Alfred Ahmetcenaj.

PROKURORI: - Cili ishte pozicionimi juaj në raport me efektivët?

AGRON MALAJ:  - Kam qenë në mes të efektivit tim. Kam pasur Mark Nikollin, Sadik Çelën dhe Gazmend Ahmetcenajn.

PROKURORI: - Nga efektivi juaj, është qëlluar me armë?

AGRON MALAJ: - Po, është qëlluar me armë në ajër kur u hap porta.

PROKURORI: - A u dha njeri urdhër, për të qëlluar?

AGRON MALAJ: - Nuk na dha njeri urdhër.

GJYQTARI: - Pati urdhër?

AGRON MALAJ: - Jo e zbatuam vetë, qëlluam vetë.

PROKURORI: - Kishin mjete të rrezikshme protestuesit?

AGRON MALAJ: - Kishin shishe me lëndë djegëse, gurë, shkopinj.

PROKURORI: - Keni dijeni që janë vrarë persona?

AGRON MALAJ: - Mora dijeni nga radioja në makinë, kur po çoja efektivin në Gardë.

AVOKATI AGIM LLUPOS: - Çfarë rrezikshmërie ka zona e zjarrit?

AGRON MALAJ: - Rreziku është deri në neutralizim.

AVOKATI AGIM LLUPOS: - Mendoni se e mbrojtët Kryeministrinë?

AGRON MALAJ: - E mbrojtëm.

PROKURORI: - Nëse do të flisnim për një situatë hipotetike, ju keni detyrim për të vepruar me armë zjarri për atë që është jashtë rrethimit?

AGRON MALAJ: - Jo, nuk kemi të drejtë.

PROKURORI: - E keni parë Ndrea Prendin atë ditë?

AGRON MALAJ: - Nuk e kam parë.

GJYQTARI: - Efektivët e Gardës i keni parë të qëllojnë?

AGRON MALAJ: - Po, i kam parë të qëllojnë në ajër kur u hap porta.

GJYQTARI: - Lloji i armëve?

AGRON MALAJ: - Njësia ime ka pasur vetëm fishekë luftarakë.

PROKURORI: - A ke qëlluar ti, po njësia që drejtoje ti, a ka qëlluar?

AGRON MALAJ: - Kam qëlluar edhe unë, por pastaj m’u bllokua arma; ka qëlluar dhe Njësia Nr. 2, fillimisht me fishekë manovër e pastaj me fishekë luftarakë./Pamfleti

spak gardisti agron malaj fishekë luftarakë 21 janar2011

Lini një Përgjigje