Një ngjarje e rëndë tronditi sot Greqinë. Një 46 vjeçar shqiptar vrau me thikë bashkëshorten dhe plagosi djalin. Pas krimit të rëndë në familje në një prononcim për Prothotema.gr djali tjetër i viktimës ka treguar se i vëllai mbeti i plagosur nga njerku në momentin që ndërhyri mes tyre për të mbrojtur të ëmën.
Djali ka rrëfyer se nëna e tij ishte me autorin prej 21 vitesh dhe se 46-vjeçari nuk ishte sjellë asnjëherë i dhunshëm ndaj saj.
Në periudhën e fundit, siç shpjegon ai, kanë pasur zënka të shpeshta dhe për këtë kanë vendosur të ndahen.
“Ai kishte paketuar rrobat dhe gjërat dhe do të dilte nga shtëpia”, shprehet djali.
“Ai tregon se gjithçka nisi kur nëna e tij ka parë 46-vjeçarin duke mbajtur një thikë në dorë gjatë një debati dhe mendoi se donte të sulmonte djalin tjetër të saj, i cili ndodhej në shtëpi me ta”, shkruan Prothotema.gr.
Më pas ajo i është lutur që të hedhë thikën, por ai e goditi në bark, duke e plagosur për vdekje.
“Kur vëllai im e kuptoi se çfarë kishte ndodhur, e sulmoi dhe më pas u godit me thikë”, thotë djali i viktimës, duke theksuar se 46-vjeçari ka ikur menjëherë dhe se fatmirësisht vëllai i tij ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
I pyetur nëse në të kaluarën ka pasur raste të tjera dhune mes 46-vjeçarit dhe nënës së tij, ai tregon se “nuk i kishte prekur asnjë fije floku”.
Shqiptari akuzohet për vrasje me dashje, e kryer dhe e mbetur në tentativë.
Lini një Përgjigje