
Policia e shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë e Burgjeve dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve kanë nisur një hetim për lëndën plasëse së hedhur mbrëmjen e djeshme në pjesën e rrethimit të jashtëm të burgut të Fushë Krujës.
Ndërkohë, në burgun e Fushë Krujës pas ngjarjes është kontrolluar i gjithë perimetri i sigurisë por edhe çdo qeli e burgut.
Mësohet se nga kontrolli nuk është gjetur asnjë send i paligjshëm tek të burgosurit. Po ashtu, do të kryhen verifikime për personat që kanë takuar së fundmi të burgosur me rrezikshmëri të lartë.
Dyshimet paraprake janë se kemi të bëjmë me një lëndë plasëse e përberë me nitrat dhe elementë tretës, e cila është hedhur nga jashtë burgut për tek pjesë e gjeneratorëve që është rreth 200 metra larg Administratës së burgut.
Rrethimi i qelive të burgut është më larg. Policia nuk përjashton asnjë nga pistat, mesazh kërcënimi ndaj drejtorit të burgut apo tentativë arratisje të ndonjë të burgosurit.
Aktualisht, grupi hetimor ka mbledhur kamerat e shumta të vendosura në rrethim, për identifikimin e autorit të vendosjes së kësaj lënde plasëse.
Lini një Përgjigje