
Një shpërthim me tritol ka ndodhur orët e para të mëngjesit në Shkodër.
Mësohet se lënda plasëse i është vendosur një makine të parkuar pranë teatrit ‘Migjeni’ në Shkodër.
Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 04:20 të mëngjesit të sotëm, 23 shkurt. Policia ka rrethuar menjëherë zonën, ndërsa tritoli i është vendosur një makine tip ‘Audi’ të bardhë me targa AB 743 KO, e cila pas shpërthimit ka pësuar dëme të shumta.
Burime bëjnë me dije se makina është në pronësi të një pronari lokali në afërsi. Në pamjet e kamerave shfaqet autori, i maskuar, që afrohet dhe i vë flakën një shisheje me benzinë në formë molotovi, e hedh dhe largohet, por më pas makina edhe ka shpërthyer.
Shkak dyshohet ndonjë konflikt çasti që mund të ketë ndodhur mes pronarit të makinës dhe personave të tjerë. Megjithatë pronari nuk ka dhënë shumë detaje për hetuesit për persona të veçantë.
Deri më tani nuk ka asnjë gjurmë të autorit, ndërsa policia do këqyre edhe kamerat e sigurisë në zonë që mund të ndihmojnë në identifikimin dhe kapjen e tyre, pasi mjeti ka qenë i parkuar në një zonë të frekuentuar të qytetit të Shkodrës, ku shumë biznese janë të pajisura me kamera sigurie.
Lini një Përgjigje