
Detaje të tjera janë zbardhur lidhur me ngjarjen e rëndë në Fier, ku 47-vjeçari Ilir Nukaj dhunoi barbarisht një çift të moshuarish para dyqanit të tyre ushqimor.
Mësohet se 47-vjeçari ka shkuar në dyqanin e të moshuarve për të blerë alkool, por 80-vjeçari Namik Rustemi nuk ka pranuar t’ia shesë, pasi ai njihej si person problematik.
Ilir Nukaj, banues në fshatin Povelçë, ka dhunuar me grushte në pjesën e kokës 80-vjeçarin Namik Rustemi dhe bashkëshorten e tij, 77-vjeçaren me iniciale A.R.
Si pasojë e dhunës i moshuari ndodhet i shtruar dhe i intubuar në spitalin rajonal Fier, në gjendje të rëndë. Ndërsa bashkëshortorja e tij, pasi ka marrë mjekim është larguar drejt banesës së saj.
E shkuara e errët e autorit:
Autori i ngjarjes në Fier, ku u dhunuan një çift të moshuarish, njihet si person me rekorde të mëparshme kriminale.
Ilir Nukaj është dënuar me 20 vjet burg për vrasje të mbetur në tentativë, pasi në vitin 2012 ai ka tentuar të vrasë pronarin e një lokali. Dhe në vitin 2020 subjekt i Operacionit “Forca e Ligjit”, ku është proceduar nga OFL për pasurinë, teksa iu dorëzuan edhe formularët (7 tetor 2020).
Nukaj, i njohur edhe me emrin Ledjan, i është kërkuar vetëdeklarimi i burimeve të pasurisë. Ilir Nukaj është banor i fshatit Povelçë, ku ndodhi krimi i djeshëm, Komuna Dermenas, Fier.
Ai për shumë vite ka jetuar jashtë vendit. Sipas dosjes hetimore rezulton se më datë 02.06.2012, rreth orës 01.00, Nukaj ka shkuar për të vjedhur në lokalin internetkafe, të shtetasit Helio Çela, i cili ndodhet ngjitur me banesën e tij.
Në momentin kur i pandehuri ka thyer xhamin e derës së lokalit, me qëllimin për t’u futur brenda, shtetasi Helio Çela ka dëgjuar zhurmë dhe ka dalë në oborrin e banesës së tij.
Meqenëse nuk ka mundur të shohë gjë, ka shkuar në drejtim të lokalit bashkë babanë e tij, shtetasin Ferrik Çela, ku kanë konstatuar se ishte thyer xhami i derës, ndërsa në një kanal që kalonte pranë lokalit, ata kanë parë që qëndronte i fshehur i pandehuri Ilir Nukaj, i cili është ngritur në këmbë dhe në dorë mbante një thikë.
Disa ditë pas kësaj ngjarjeje, Nukaj ka shkuar për të luajtur dhe aty është konfliktuar me Helio Çela, i cili e kishte kapur për vjedhje në flagrancë te lokali i tij. Pasi e ka sharë, e ka goditur katër herë me thikë në kurriz dhe sup. Për këtë krim është arrestuar dhe dënuar më pas nga drejtësia.
Lini një Përgjigje