
Eldi Allushi, 26-vjeçari i cili përfundoi në digën e liqenit me 'BMW x6' në orët e para të mëngjesit në digën e Liqenit Artificial ka dhënë dëshmi kontradiktore.
Gjatë marrjes në pyetje, i riu ka mohuar të ketë qenë drejtues i mjetit luksoz, por më pas ka ngritur pretendimet se i ka ngelur pedalja e gazit e takuar.
Pas hetimeve, është zbuluar se në automjet, bashkë me Allushin ndodheshin edhe dy të rinj të tjerë. Njëri prej tyre është shoqëruar nga Policia ndërsa tjetri po kërkohet për t'u marrë në pyetje.
Kujtojmë se Allushi u ndalua disa orë pas aksidentit. Pasi u aksidentua, ai mori targën e mjetit e më pas u largua, por u arrestua rreth orës 15:00, në rrugën e Arbrit.
Atij iu është bërë testi i alkoolit dhe nuk ka rezultuar në efektin e pijeve alkoolike. Policia ka dyshime se në orën 5 të mëngjesit që ka ndodhur aksidenti ai mund të ketë qenë i alkoolizuar apo i droguar.
Për të vërtetuar këtë dyshim i është marrë kampion gjaku dhe pritet përgjigje e analizave.
Aksidenti i rrezikshëm u shënua dje në orët e para të mëngjesit. Kur policia shkoi në vendin e ngjarjes, Allushi nuk ndodhej aty. Me vetë kishte marrë dhe targën, një tentativë e kotë për të humbur gjurmët.
Policisë nuk u desh shumë kohë të identifikojë drejtuesin e mjetit, Eldi Allushi, familja e të cilit nga Durrësi është shpërngulur me banim në zonën e Freskut në Tiranë. Kurse vetë Allushi, siç edhe publikon foto të shumta në rrjetin e tij social FB, lë të kuptohet që jeton në Angli.
"Më datë 22.08.2023, rreth orës 05:15, në Rrugën e Kosovarëve, dyshohet se automjeti tip "BMË" me drejtues shtetasin E. A., 26 vjeç, banues në Durrës, ka dalë jashtë rruge dhe është ngjitur në skarpatin e digës së liqenit, më pas është përplasur me bordurën mbrojtëse anës liqenit. Drejtuesi ka braktisur automjetin dhe është larguar nga vendi i aksidentit.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale "Shkatërrimi i pronës" dhe "Largimi nga vendi i aksidentit", njoftoi policia.
Lini një Përgjigje