TAGS-AT E JAVËS

Kronike 7 Shkurt 2025, 19:26

Publikonin foto dhe video intime, policia arreston administratoret e faqes në “Instagram” që alarmoi Korçën

Shkruar nga Pamfleti

Publikonin foto dhe video intime, policia arreston administratoret e faqes

Policia në Korçë ka identifikuar dy vajza, që dyshohet se janë përgjegjëse për një faqe Instagram-i, ku publikoheshin foto, video intime dhe të dhëna për adoleshentët me fjalë denigruese.

Dyshohet se dy vajza minorene janë përgjegjëset për këtë faqe. Në vijim pritet të merren masa nga ana e policisë për dy vajzat minorene.

Për tre ditë adoleshentët e Korçës u terrorizuan nga një faqe “Instagrami”, e cila bullizonte, denigronte dhe publikonte materiale pornografike të tyre.

Pas denoncimit të bërë nga një oficere e sigurisë në një prej gjimnazeve të Korçës, Sektori kundër Krimit Kibernetik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit nisi hetimet për rastin dhe identifikimin e administratorëve të faqes.

Nën objektivin e sulmit të administratorëve anonimë të faqes e cila që në emër ishte denigruese, ishin vendosur nxënës të shkollave të mesme por edhe 9 vjeçare të qytetit. Disa nga adoleshentët e moshës 14-18 vjeç të cilët u bënë objekt i sulmit treguan se faqja ekziston prej disa vitesh dhe në mënyrë periodike është hapur dhe mbyllur.

Sipas tyre ndryshe nga herët e tjera tani përveç postimeve me emra dhe mbiemra me përmbajtje denigruese ka patur edhe video dhe foto me përmbajtje pornografike.

Vetëm në 3 ditët e fundit ka pasur më shumë se 20 adoleshentë të dëmtuar nga sulmi kibernetik përmes kësaj faqeje, e cila tashmë është mbyllur.

"Falë hetimeve të thelluara të eksperteve te Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, si dhe bashkëpunimit të ngushtë me kompanitë ndërkombëtare Meta I.N.C dhe Google I.N.C, u arrit të siguroheshin provat e nevojshme në kohë të shpejtë, duke mundësuar vazhdimin e hetimeve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ky bashkëpunim ka qenë jetik në identifikimin dhe ndalimin e autorëve, si dhe në mbledhjen e provave që do të ndihmojnë në procesin e drejtësisë. Nga hetimi intensiv, u arrit të identifikoheshin dhe arrestoheshin dy shtetase, për veprën penale “Pornografia me të mitur”, parashikuar nga neni 117/2 i Kodit Penal, të cilat ishin të përfshira në këtë veprimtari kriminale: P.M, e cila ka qenë administratorja e profilit "laviret e Korçës" në Instagram. E.P, e cila është identifikuar si person përgjegjës për aplikacionin “Tellonym”, i lidhur me profilin e Instagramit”, njofton Policia.

Lini një Përgjigje