
Vrasja e Antonio Karafilit nga ish e dashura Kejsi Spahillari dhe partneri i saj është zbuluar tashmë pas 7 vitesh. Ish-prokurori Ervin Karanxha shpjegon se çfarë duhej bërë që në fillim, që kjo çështje të ishte zbardhur 7 vite më parë.
Ai u shpreh se Prokuroria dhe policia duhet të ishin treguar të kujdesshëm në mbledhjen e provave të para në vendngjarje. Sipas tij, gjithashtu duhet të sekuestroheshin telefonat e personave të përfshirë dhe të zbardhej ngjarja.
“Në lidhje me fillimin e ndjekjes penale… Konstatojmë, sidomos te veprat penale të krimit ndaj personit, prokuroria dhe organet e ndjekjes penale duhet të jenë shumë të kujdesshme me vendin e ngjarjes, duke filluar nga këqyrja e vendit të ngjarjes, këqyrjes së kufomës, por dhe në rastin konkret do ishte mirë që siç sekuestrohen telefonat për çështje tenderash, të ishin sekuestruar dhe këtu telefonat e personave të përfshirë. Familja që në fillim ka pasur pretendime me vetëvrasjen. Pra do ishte mirë të ishte regjistruar procedim penal që në fillim dhe të mblidheshin provat që në fillim, sepse të vrasjet gjithmonë provat e para janë shumë të rëndësishme.
E dyta, duhet të ishin marrë tabulatet telefonike dhe qelizat e vendndodhjes së gjithë personave të përfshirë, sepse dhe në Voskopojë, të gjithë personat, ka një antenë aty që pulson. Mbyllja e çështjes që në fillim ka sjellë dëme të pariparueshme”, u shpreh Karanxha për “TCH”.
Lini një Përgjigje