
Policia vijon hetimet për të zbardhur ekzekutimin e tipit mafioz të 22-vjeçarit, Gëzim Sinomati.
I riu u qëllua me snajper në ballkonin e banesës në Vlorë ku kishte dalë të pinte cigare, ku një plumb i mori jetën, ndërsa pas vrasjes u fikën dritat në zonën përreth.
14 persona janë shoqëruar deri tani. Mjeti i autorëve u dogj në lagjen 24 Maji, por arma e krimit nuk është gjetur.
Atentatet me snajper janë të pakta në Shqipëri, por në rastin e përdorimit të kësaj lloj armë, hetuesit thonë se ka dy cilësi.
E para, autori është profesionist dhe kërkon ekzekutimin deri në fund, dhe jo dhënien e sinjalit dhe e dyta, për të mos shënuar viktima jashtë atij që është në shënjestër.
Armët snajper në Shqipëri përveç atyre pak që kanë forcat speciale të Policisë, më së shumti kanë hyrë nga jashtë vendit dhe depërtuar tek grupet kriminale përmes linjave detare.
Disa raste të përdorimit të armëve snajper për të ekzekutuar shënjestrat e tyre:
Çfarë ndodhi ditën e djeshme:
7 janar 2024- Një plumb në kokë i mori jetën 22-vjeçarit Gëzim Sinomati, i cili u ekzekutua mbrëmjen e 7 janarit 2024, teksa ishte në ballkonin e banesës në katin e tretë të një pallati në lagjen “Hajro Çakërri' në Vlorë.
I riu, sapo ishte kthyer nga Belgjika dhe kishte dalë të pinte cigare në ballkon, ku dyshohet se u qëllua me snajper, një ekzekutim i tipit mafioz të cilit nuk i mbijetoi dot.
9 mars 2000– Ilir Bardhi u ekzekutua me snajper brenda qelisë së tij në burgun 313 në Tiranë. Snajperi ishte vendosur në dritaren e një pallati pranë godinës së burgut, gati 200 metra larg në vijë ajrore. Bardhi ishte arrestuar si i dyshuar për një vrasje të dyfishtë.
12 qershor 2015- Plumbi i një snajperi i mori jetën në oborrin e banesës së tij në Shkodër 51-vjeçarit Xhabir Shega në qershor 2015. Sipas policisë, qitësi ishte pozicionuar në kodrën e Kalasë së Rozafës. Viktima i kishte mbijetuar një tjetër atentati me snajper një vit para ngjarjes.
Qershor 2017- u regjistrua një tjetër atentat me snajper drejt një të paraburgosuri. Arma e saktësisë së lartë u shkreh nga kodra pranë burgut të Vaqarrit. Sipas hetimit, shënjestër e atentatit ishte Gazmir Daci, por i plagosur mbeti kosovari Lili Dule.
Janar 2020- një ekzekutim tipik mafioz me snajper ishte ai i biznesmenit Kastriot Reçi, në Rrëshen në janar 2020. Biznesmeni u qëllua me plumb në zemër teksa po ecte në qendrën e qytetit. Killeri ishte vendosur në katin e fundit të një pallati 9-katësh, ku sipas dëshmitarëve ishte futur i maskuar si grua./Voxnews
Lini një Përgjigje