
Policia e Vlorës ka zbardhur ngjarjen e së shtunës ku dy persona u plagosën me thikë. Në pranga ka rënë një 32-vjeçar, i cili akuzohet për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”.
Mësohet se 32-vjeçari Indrit Halili, për motive të dobëta, është konfliktuar fizikisht, në lagjen “10 Korriku” dhe në lagjen “Pavarësia 2”, me dy shtetas të ndryshëm, të cilët gjatë konfliktit i ka goditur me thikë.
Të plagosurit Kristi Konstadini dhe një 39-vjeçar ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, edhe shtetasi i arrestuar ka marrë ndihmën mjekësore pasi u dëmtua gjatë konfliktit.
"I. H., 32 vjeç, banues në Vlorë, u konfliktua për motive të dobëta në dy zona të qytetit: në lagjen “10 Korriku” dhe në lagjen “Pavarësia 2”, ku sulmoi me thikë dy shtetas.
Nga përplasja mbetën të lënduar shtetasit M. F., 39 vjeç dhe K. K., 32 vjeç, të cilët morën ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Edhe vetë autori, I. H., është trajtuar për dëmtime të marra gjatë konfliktit.
Ngjarja u dokumentua plotësisht falë pamjeve filmike të siguruara nga vendi i ngjarjes. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua thika e përdorur nga autori gjatë sulmit.
Ndaj 32-vjeçarit rëndon akuza për “Plagosje e rëndë me dashje”, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme ligjore", njoftoi policia.
Lini një Përgjigje