Ajo që bie në sy është se ekzekutimi ka ndodhur në të njëjtën ditë me arrestimin e Dritan Rexhepit. Ky i fundit ishte baroni i kokainës që vinte nga Amerika Latine dhe u arratis nga Ekuadori...
Një shqiptar është vrarë me armë zjarri në Guajakil të Ekuadorit, ditën e arrestimit të kreut të kompanisë “Bello” Dritan Rexhepi nga policia turke në një kompleks rezidencial në Stamboll.
Sipas mediave ekuadoriane, shqiptari u ekzekutua teksa ndodhej brenda makinës së tij të parkuar. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20:30. Sipas dëshmitarëve, autorët kanë qenë me motor. Pas ekzekutimit, ata u larguan me shpejtësi me të njëjtin mjet.
53-vjeçari u qëllua me 9 plumba pistolete. Nga hetimet e deritanishme është bërë e ditur se Arjanit Rizaj ka qenë duke pritur bashkëshorten e tij, e cila ndodhej në një shtëpi kujdesi për të moshuarit, për të takuar të atin.
Dëshmitarët, të tmerruar nga skena makabre, tentuan të ndihmonin 53-vjeçarin duke e dërguar në urgjencë, por fatkeqësisht Arjan Rizaj nuk mundi të mbijetonte.

Banorët dhe disa shitës të zonës thanë se në drejtim të shqiptarit është qëlluar nga një motoçikletë e bardhë me të cilën po lëviznin dy persona. Ata u larguan në drejtim të paditur pasi kryen vrasjen. Sipas policisë, autorët kanë përdorur një armë zjarri të kalibrit 9 milimetra.
Fillimisht Rizaj u dërgua në urgjencën e spitalit “Luis Vernaza”, e më pas në klinikën “Panamericana”, ku mjekët tentuan ta mbanin në jetë, por plagët e shkaktuara nga arma e zjarrit ishin të rënda duke i shkaktuar vdekjen.
Bashkëshortja e 53-vjeçarit ka deklaruar për hetuesit se ajo e pa skenën nga shumë pranë. Ajo deklaroi se nuk e dinte motivin e sulmit ndaj bashkëshortit. Sipas saj, Rizaj nuk punonte pasi nuk kishte dokumente të vlefshme në Ekuador, por jetonte me paratë që i dërgonte nga Shqipëria familja ose vëllai i tij që banonte në Kanada. Por sipas mediave vendase, atij ju gjet ID ekuadoriane.
Në parkingun e spitalit Luis Vernaza, agjentët e kriminalistikës gjetën tetë gëzhoja 9 mm dhe një plumb të deformuar. Në qershor 2022, në të njëjtin parking, Policia arrestoi 18 persona, disa të armatosur, të lidhur me një organizatë kriminale.
Ajo që bie në sy është se ekzekutimi ka ndodhur në të njëjtën ditë me arrestimin e Dritan Rexhepit. Ky i fundit ishte baroni i kokainës që vinte nga Amerika Latine dhe jetoi shumë kohë në Ekuador. Nuk dihet nëse kanë lidhje ngjarjet, por dyshimet janë se Arjanit Rizaj ka qenë pjesë e klaneve të drogës në Ekuador dhe përplasjet mes vetë bandave të shqiptarëve kanë sjellë ekzekutimin e tij.
Lini një Përgjigje