Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për 41-vjeçarin Filip Shehu, i cili vrau me thikë kolegun e tij picier Indrit Ismaillari në një lokal tek Komuna e Parisit.
Në deklaratat e tij para togave të zeza të Gjykatës se Tiranës, 41-vjeçari ka pretenduar se shpesh herë është ofenduar dhe ngacmuar në punë nga kolegu i tij, gjë që nuk e bënte askush tjetër.
“Ai nuk ka pasur asnjë punë me mua sepse nuk ishte shefi im që të më jepte urdhra”, ka deklaruar 41-vjeçari.
Autori është shprehur se viktima e acaronte dhe sipas tij, Ismaillari mbante thikë dhe i thoshte se “nuk e çaj kokën fare për ty”. Ai tregon se e njëjta situatë ka ndodhur edhe ditën e ngjarjes ku janë konfliktuar.
Ndërkohë, 41-vjeçari ka mësuar një ditë më parë që Indrit Ismaillari ka humbur jetën pasi e dinte vetëm që ishte plagosur dhe ka shprehur ngushëllime familjarëve.
Avokati mbrojtës i tij, Ilir Murati ka pretenduar se ngjarja ka ndodhur në kushtet e tronditjes së rëndë psiqike dhe klienti i tij kishte 13 vite që kurohej për çrregullim bipolar. Ai ka paraqitur dhe një dokumentacion mbi kurimin e Filip Shehut qe nga viti 2013.
Avokati kërkoi shtrim të detyrueshëm në spital psikiatrik si masë sigurie dhe kryerjen e një ekspertize për shëndetin mendor. Mësohet se 41-vjeçari ishte i divorcuar dhe kishte një fëmijë.
Lini një Përgjigje