TAGS-AT E JAVËS

Kronike 2 Prill 2025, 18:39

Nga zhdukja, te vrasja, dëshmitë dhe misteret, dinamika e plotë si u masakrua e reja shqiptare në Itali

Shkruar nga Pamfleti
Nga zhdukja, te vrasja, dëshmitë dhe misteret, dinamika e plotë
Ilaria Sula- 22 vjeç

Italia, por jo vetëm, u trondit nga një ngjarje makabre ditën e sotme. Një studente me origjinë shqiptare, u gjet e vdekur brenda një valixhe. Më pas u zbulua se krimin e ka kryer i dashur i saj, i cili është ndalur. Por ka ende mister mbi shkaqet e krimit. “Pamfleti” po rendit më poshtë gjithë dinamikën e krimit dhe detajet që janë zbuluar deri më tani.

Zhdukja misterioze

Ilaria Sula 22 vjeç, sipas disa të afërmve të saj, u zhduk më 25 mars nga zona Furio Camillo ku jetonte. Familjarët të shqetësuar bënë apel në rrjetet sociale, ndërsa të afërmit e saj e denoncuan të zhdukur në komisariatin e policisë në San Lorenzo.

Studentja shqiptare, e cila rezultonte e zhdukur prej një jave u gjet pajetë. Trupi i saj ishte futur në një valixhe dhe i hedhur në një zonë të pyllëzuar në Poli. Ajo u godit me thikë brenda një apartamenti në Romë nga i dashuri i saj filipinas. 23-vjeçari Mark Samson dyshohet se pas vrasjes, e ka futur trupin e viktimës brenda një valixheje dhe e ka dërguar në një zonë pyjore.

Nga zhdukja, te vrasja, dëshmitë dhe misteret, dinamika e plotë
Autori- 23-vjeçari Mark Samson

Ndër pistat e para që po hetonte policia për vdekjen e Ilarias është mundësia që ajo të ketë ikur nga banesa pas ndarjes nga i dashuri. Mikesha e saj dëshmoi se 22-vjeçarja kishte dalë nga shtëpia në orën 21:30 të 25 marsit.
Pas largimit, Ilaria ka shkëmbyer disa mesazhe në WhatsApp me shoqet e tjera, por që nga data 29 mars ajo nuk ka qenë më në kontakt me asnjë nga ta. 22-vjeçarja është përshkruar si një vajzë e qetë, e cila studionte dhe pa pasione të tjera përveç studimeve dhe aktivitetit në palestër. Por, pas zbardhjes së krimit, u zbulua se këto mesazhe nuk ishin shkruar nga 22-vjeçarja shqiptare.


Si u zbulua krimi monstruoz?

Valixhja me eshtrat e vajzës u gjet në një zonë të pyllëzuar, në afërsi të Prestiinit, komuna e Politinit. Ilaria dyshohet se u godit me thikë për vdekje dhe më pas u mbyll në një valixhe në një përpjekje për të fshehur trupin e saj. Hetimet, që po drejtohen nga agjentët e komisariatit të San Lorenzos, janë fokusuar në marrëdhëniet mes çiftit, ndërsa 23-vjeçari është zbuluar nga tabulatet telefonike dhe qelizat e lidhura me celularin e viktimës.
Mark Samson, filipinasi 23-vjeçar, ka rrëfyer vrasjen e ish-të dashurës së tij Ilaria Sula, 22 vjeçe. I riu tha se ishte takuar me Ilarian në një parking në via Homs, në lagjen afrikane, ku djali jeton me prindërit e tij. 

Mëngjesin e sotëm është kryer kontroll në banesë për gjetjen e gjurmëve. Raportohet se vrasja e 22-vjeçares ka ndodhur në shtëpinë e saj. Nga raportimet autori i dyshuar ia ka treguar vendin hetuesve, ndërsa ka pranuar krimin. 23-vjeçari pranoi se e kishte vrarë Ilarian me thikë në kulmin e një debati në banesën në Via Homes 16, në lagjen Africano.

Kur policia arriti tek ai pas një informate nga shokët e dhomës, filipinasi ka pranuar krimin duke thënë “Kërkoj falje”. Më pas, përballë prokurorit dhe në prani të avokatit mbrojtës është përgjigjur “Nuk dua të përgjigjem për këtë” për shumë pyetje të hetuesve.

Nga zhdukja, te vrasja, dëshmitë dhe misteret, dinamika e plotë
Banesa ku u vra me thikë shqiptarja

Zhdukja dhe mbulimi i rrjeteve sociale

Nga hetimet e policisë, bëhet me dije se Ilaria kishte shkëmbyer disa mesazhe me të dashurin e saj për një kohë të gjatë para se të largohej. Pas krimit, autori 23-vjeçar përdori telefonin e të resë për të postuar histori fiktive në profilet e mediave sociale të Ilaria-s, i cili po përpiqej të mashtronte dhe të fshihte gjurmët duke dhënë idenë se ajo u largua me dëshirë nga banesa e tij dhe se ishte gjallë. Më pas ai dyshohet se e hodhi celularin në një pusetë. Miqtë e saj e kishin vënë re aktivitetin social të Ilarisë, por ajo nuk u ishte përgjigjur asnjëherë thirrjeve apo mesazheve të tyre.

22-vjeçarja u ekzekutua në shtëpinë e autorit, dëshmitarë ishin edhe prindërit e tij

Mediat italiane raportuan se në momentin e ngjarjes, prindërit e 23-vjeçarit ndodheshin në apartament. Ata u larguan në orët e mëngjesit nga apartamenti në Via Homs ku ndodhi vrasja. Prindërit e të riut filipinas do të dëshmojnë përpara hetuesve, por sipas ligjit italian nuk mund të akuzohen për ndihmë ndaj një krimineli, pasi bëhet fjalë për djalin e tyre, një familjar i shkallës së parë. Situata do të ndryshonte vetëm nëse do të kishte prova që i implikojnë ata në bashkëpunim në vrasje. Aktualisht, nuk dihet nëse kanë qenë në dijeni të asaj që ndodhi apo nëse kanë pasur ndonjë rol në krim.

Nga zhdukja, te vrasja, dëshmitë dhe misteret, dinamika e plotë
Foto nga vendi ku u gjet 22-vjeçarja Ilaria Sula

Dëshmitë e familjarëve të Ilaria Sulës

Vëllai i 22-vjeçares shqiptare, Leon Sula ka treguar se ka folur me motrën e tij dy javë më parë kur ajo kishte shkuar për t’i takuar në Terni, por shtoi se nuk i ka treguar për asnjë problem që mund të ketë pasur me të dashurin. Ai u shpreh se të dashurin e motrës e njihte vetëm pak.

“Nuk mund ta shpjegojmë. Pse e bëri? Nuk e kuptojmë pse e bëri, vetëm ai e di. Kam folur me motrën herën e fundit dy javë më parë, sepse ajo erdhi të na vizitojë në Terni. Ajo ishte e qetë dhe nuk më thoshte për problemet. Pastaj vetëm mesazhe. Të dashurin e saj e njihja, ishin një vit bashkë por u ndanë”, thotë Leon.

Ndërsa Gëzime Sula, nëna e të resë që u masakrua me thikë nga ish i dashuri filipinas, ka rrëfyer se e kishte kuptuar që mesazhet që kishte marrë nga telefoni i së bijës kur u zhduk, nuk i kishte shkruar ajo. Sipas saj, e bija ishte mësuar që të bënte video thirrje dhe të mos përdorte mesazhe të thjeshta.

"Menjëherë e kuptova se diçka nuk shkonte. Më pas fola me miqtë që jetonin me të dhe së bashku me bashkëshortin vendosëm të denoncojmë menjëherë zhdukjen e saj, falë edhe inspektorit Moreno Fernandez që më rekomandoi një mik nga Terni. E di që hetimet çuan menjëherë te djali me të cilin Ilaria kishte dalë në të kaluarën, por ne dimë pak për të”, u shpreh nëna e saj për mediat italiane.

Reagimi i Universitetit ku studionte Ilaria Sula

Universiteti i Romës La Sapienza, ka shprehur ngushëllime për 22-vjeçaren shqiptare Ilaria Sula, pasi u vra me thikë nga i dashuri i saj Mark Samson.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, universiteti e ka cilësuar vrasjen e saj si një krim të tmerrshëm ndërsa i shpreh ngushëllimet familjarëve të saj.

“Fatkeqësisht, Ilaria u gjet e pajetë: një krim i tmerrshëm dhe brutal që na lë pa fjalë dhe me zemra të thyera. Në këtë moment dhimbjeje, ne jemi me familjen e studentes sonë, të dashurve të saj më të afërt dhe të gjithë komunitetit studentor të Sapienzës, i cili ditët e fundit u bashkua në një kërkim të dëshpëruar për të. Më 2 prill, të mërkurën, në orën 18:30, për të kujtuar Laria Sula, kushdo mund të sjellë një lule në Ndërtesën e Statistikave”, thuhet në postimin e universitetit.

Fqinji: Dukej si kukull

Mjeku Giovanni Spanò, dentist në klinikën Infinity Dental, një qendër dentare që ndodhet pikërisht pranë banesës ku u vra Ilaria, tha se Ilaria ishte një vajzë e qetë, e qeshur dhe e sjellshëm.

"E pashë të hënën e kaluar jashtë zyrës sime. E kam njohur vajzën. Ajo që ndodhi është absurd. Autori jeton këtu me prindërit e tij, por vajza ka frekuentuar këtë shtëpi prej vitesh, tani ka kohë që nuk e kam parë. Jam i shokuar”, tha fqinji i tyre në dëshminë e tij.

Autoritetet italiane po hetojnë për të zbardhur detaje nga krimi i rëndë, ndërsa ende nuk dihet arsyeja pse i dashuri i 22-vjeçares shqiptare ndërmori aktin e rëndë. /Pamfleti

Lini një Përgjigje