TAGS-AT E JAVËS

Kronike27 Shkurt 2024, 16:39

Nga oficer policie në "baron droge", Gëzim Çela ekstradohet drejt Shqipërisë

Shkruar nga Pamfleti
Nga oficer policie në "baron droge", Gëzim Çela
Gëzim Çela dhe vila e tij në Krujë

Gëzim Çela dyshohet se përdorte vilën e tij në Fushë Kuqe për trafik droge. Pikërisht aty, policia i gjeti 18 kilogramë kokainë, 150 kilogramë kanabis sativa si dhe u sekuestruan 9 armë, 3 snajpera dhe granata...

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar sot se Gëzim Çela, i njohur si “baroni i drogës”, i cili u arrestua në Kosovë, do të ekstradohet drejt Shqipërisë.

Ai konsiderohet si një prej kokave më të mëdha të trafikut të kokainës dhe heroinës në Evropë. Çela akuzohet për trafik të lëndëve narkotike dhe grup të strukturuar kriminal.

Ekstradimi i tij do të kryhet me procedurë të thjeshtuar, ndërkohë që sipas njoftimit mësohet se dhe vetë ai ka dhënë pëlqimin për t’u ekstraduar drejt Shqipërisë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Gjithashtu, ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi ish-Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dënuar me 10 vjet e 8 muaj burgim, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municione luftarake”, pasi: Më datë 12.06.2014, në orët e para të mëngjesit, është kapur në flagrancë shtetasi R. H., me lëndë narkotike kokainë, e cila ishte nisur nga Kosova në Shqipëri, për llogari të shtetasit Gëzim Çelaj. Në banesat e këtij të fundit, në Kurbin dhe në Tiranë, janë ushtruar kontrolle dhe janë gjetur dhe sekuestruar 207 kg kanabis sativa, 22 kg heroinë, 500 gramë kokainë dhe 14 armë zjarri të llojeve të ndryshme.

Shtetasi Gëzim Çelaj alias Çela, i biri i Xhemal dhe i Fatime, lindur më 07.04.1968, në Krujë, do të ekstradohet nga Kosova në Shqipëri.

Ekstradimi i tij do të bëhet me procedurë të thjeshtuar, dhe në vijim të komunikimit mbi këtë kërkesë për ekstradim, Ministria e Drejtësisë të Kosovës, me emailin e datës 26.02.2024, ka përcjellë njoftimin e autoriteteve kosovare të drejtësisë mbi vendimin Nr. 05179662, dt. 11.01.2024 të Gjykatës Themelore në Ferizaj/ Kosovë, për lejimin e ekstadimit të thjeshtuar këtij shtetasi, për shkak se ky shtetas ka dhënë pëlqimin për t`u ekstraduar drejt Shqipërisë.

Kërkesa për ekstradimin e shtetasit të lartpërmendur bazohet në:

-Vendimin Nr. 110, datë 08.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për caktimin ndaj tij të masës së sigurimit “Arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve” e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, 28, 333/a dhe 334 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

-Vendimin Nr. 102, datë 30.09.2015 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, i ndryshuar me Vendimin Nr. 121, datë 07.12.2015, të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda për dënimin e tij me 10 vjet e 8 muaj burg, për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 283/a/2, 2283/2, 278/3 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Gëzim Çela dyshohet se përdorte vilën e tij në Fushë Kuqe për trafik droge. Pikërisht aty, policia i gjeti 18 kilogramë kokainë, 150 kilogramë kanabis sativa si dhe u sekuestruan 9 armë, 3 snajpera, granata dhe makina të blinduara.

Kur droga mbërrinte në Shqipëri, ajo dërgohej në vilën e Gëzim çelës në Fushë Kuqe, nga ku shpërndahej për në vendet perëndimore. Çela e kishte shndërruar vilën e familjes në laborator për përzierjen e drogës. Çela u shpall në kërkim si kreu i këtij rrjeti të trafikut të drogës. /Pamfleti

gëzim Çelaj

Lini një Përgjigje