TAGS-AT E JAVËS

Kronike 7 Prill 2026, 10:48

Nga arratisja spektakolare në 2019 te grabitjet me armë, arrestohet shqiptari i rrezikshëm në Greqi

Shkruar nga Pamfleti
Nga arratisja spektakolare në 2019 te grabitjet me armë, arrestohet
Foto Ilustrim

Një shqiptar, i konsideruar nga autoritetet greke si person me rrezikshmëri të lartë, është arrestuar gjatë një operacioni policor në zonën e Thermos, në rajonin e Aitoloakarnanisë.

Sipas policisë, ai ishte një nga personat e përfshirë në arratisjen e vitit 2019 nga Shërbimi i Migracionit në Athinë. Në atë ngjarje, ai së bashku me tre persona të tjerë kishin kërcënuar efektivët me mjete të mprehta dhe armë të improvizuara, kishin marrë kontrollin e një automjeti policie dhe kishin qëlluar ndaj forcave të rendit, pa shkaktuar viktima.

Pas arrestimit të mëvonshëm në zonën e Rentisit, ai ishte dënuar dhe burgosur, por gjatë një leje kishte rifilluar aktivitetin kriminal.

Së fundmi, në bashkëpunim me dy burra dhe një grua, ai dyshohet se tentoi të kryente një grabitje në Thermo. Sipas hetimeve, grupi kishte ngritur një barrikadë pranë banesës së viktimës dhe e kishte sulmuar atë, por tentativa dështoi pasi viktima kërkoi ndihmë, duke alarmuar banorët.

Gjatë largimit nga vendngjarja, autorët qëlluan në ajër me armë automatike dhe u arratisën. Pas hetimeve, policia arriti të identifikojë automjetin e përdorur dhe apartamentin tip Airbnb ku ata qëndronin, duke çuar në arrestimin e të gjithë të dyshuarve.

Mes të ndaluarve ishin edhe dy shqiptarë të tjerë, të cilët rezultonin të arratisur nga Qendra e Paraburgimit Rural Kassavetia në fillim të janarit 2025.

Gjatë kontrollit në banesë, autoritetet sekuestruan një armë automatike të tipit kallashnikov me dy karikatorë të lidhur, që përmbanin gjithsej 57 fishekë të kalibrit 7.62 mm.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht aktivitetin e grupit dhe për të verifikuar lidhjet e mundshme me ngjarje të tjera kriminale.

Lini një Përgjigje