
Katër persona të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale janë arrestuar nga policia në kryeqytet.
Sipas njoftimit, bëhet me dije se një 33-vjeçar është arrestuar për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Ndërsa një tjetër i arrestuar është një 36-vjeçar i dënuar me burg për "Plagosja e rëndë me dashje".
Në pranga janë rënë gjithashtu 2 persona në kërkim për veprat penale “Vjedhje” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
“Strukturat e DVP Tiranë, si rezultat i kontrolleve në terren të kryera në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, në kuadër të operacionit “Catch”, kapën dhe vunë në pranga 4 shtetas të shpallur në kërkim, konkretisht:
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit e Policisë Nr. 2 kapën dhe ndaluan shtetasin J. P., 33 vjeç, banues në Tiranë, pasi Prokuroria ka lëshuar urdhër ndalimi për të, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, kapën dhe ndaluan shtetasin A. K., 36 vjeç. Këtë shtetas, Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale "Plagosja e rëndë me dashje"; me 10 muaj burgim, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”; si dhe i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përndjekja”.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 në bashkëpunim me sherbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore kapën dhe ndaluan shtetasin A. H., 42 vjeç, pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 3 muaj burgim, për veprën penale “Vjedhja”.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 kapën shtetasin G. H., 41 vjeç. Nga dënimi me 5 vjet burgim, i dhënë nga Gjykata e Apelit Gjirokastër, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve’’, këtij shtetasi i kanë mbetur për të kryer 11 muaj e 21 ditë burgim. Veprimet e tjera procedurale për këtë shtetas do të kryhen nga DVP Gjirokastër”, njoftoi policia.
Lini një Përgjigje