TAGS-AT E JAVËS

Kronike 5 Shtator 2024, 10:06

Merr kthesë krimi në Shënavlash, arrestohet bashkëpunëtori i Esmerald Ballës; ndihmoi të riun të fshihte trupin e të atit

Shkruar nga Pamfleti

Merr kthesë krimi në Shënavlash, arrestohet

Hetimet për vrasjen e 62-vjeçarit Enver Balla nxjerrin një tjetër autor.

Policia ka arrestuar një 25-vjeçar pasi akuzohet se ndihmoi Esmerald Ballën të fshihte trupin e të atit pasi e vrau.

Sipas policisë në pranga ka rënë Edison Brahaj, mik i Esmerald Ballës, i cili e ka ndihmuar Ballën në transportimin me automjet të trupit të të atit nga vendi i krimit deri te vendi ku u gjet nga policia.

Gjatë kontrollit në banesën e 25-vjeçarit u gjet dhe u sekuestrua një shumë prej 145 000 lekësh. I riu u arrestua për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”.

Mësohet se 25-vjeçari Brahaj është banues në Shënavlash ndërsa me origjinë nga Kukësi.

Si u zbulua krimi i rëndë në Shënavlash?

Kasaforta e prerë me gur fresibël në pjesën e pasme të saj dhe që ishte në dhomën e Esmerald Ballës, ishin indiciet e para të hetuesve se "zhdukja" e babait të tij Enver Balla nuk ishte rastësore. Që prej momenteve të para që djali bëri denoncim në polici, hetuesit i morën me rezerva deklarimet e tij, e gjithsesi qëndruan të ftohtë dhe e mbajtën në vëzhgim pa e trazuar apo akuzuar.

Në deklarimet e para për kasafortën, hetuesit gjetën detaje kontradiktore në lidhje me çelësin, që herë thoshte e mbante babai e herë ai vetë. Pasi kishte sajuar historinë se i ati kishte ikur me një grua, e cila i kishte shkruar në Instagram, policia vendosi t'i sekuestrojë celularin, tek i cili u ndërhy me ekspertë të IT pasi i kishte fshirë dhe u zbuluan prova interesante që zbërthyen ngjarjen.

Përveç fotove të vajzave të gjetura në celular u gjet edhe një screenshot bisede, një grua që i shkruante se kishte ikur me babanë e tij. Por nga hetimi u zbulua se i njëjti profil që i kishte shkruar ishte i tij, i hapur në celularin e tij, duke zbuluar mashtrimin.

I riu u mbajt për disa kohë në përgjim, por ka qenë i kujdesshëm në komunikim. Familjarët, konkretisht vajza dhe djali tjetër i viktimës dyshohet se nuk dinin asgjë mbi fatin e babait, ishin mashtruar nga Esmeraldi me histori të sajuara të largimit me një grua.

"Vihet në pranga shtetasi që ndihmoi autorin e vrasjes së babait të tij, në fshatin Shënavlash, për të transportuar trupin e pajetë duke e hedhur në një pus.

Në vijim të veprimeve hetimore të pandërprera, lidhur me ngjarjen e ndodhur në fshatin Shënavlash, ku djali vrau me armë zjarri babain e tij dhe e deklaroi të larguar nga banesa, duke pretenduar se kishte humbur kontaktet me të, veprimet janë intensifikuar dhe si rezultat është bërë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i bashkëpuntorit të tij, shtetasit E. B., 25 vjeç, banues në Sektor Rinia, Durrës.

Ky shtetas, i cili kishte lidhje shoqërore me autorin E. B., dyshohet se ka bashkëpunuar me të në transportimin me automjet të trupit të viktimës nga vendi i ngjarjes deri te vendi ku u gjet nga policia.

Gjatë kontrollit në banesën e E. B., u gjet dhe u sekuestrua një shumë prej 145 000 lekësh.

Për sa më sipër, ky shtetas u arrestua për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”.

Vijojnë hetimet e thelluara për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme", njofton policia.

 

Lini një Përgjigje