
Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj ka bërë jehonë edhe në mediat portugeze.
Kjo për shkak se ekzekutori ishte një shtetas nga Portugalia i identifikuar si Ruben Saraiva, i cili është shpallur në kërkim nga policia shqiptare.
Gazeta portugeze “Correio da Manhã”, në një artikull të publikuar, titulli i të cilit është: “Mercenari portugez i kërkuar nga policia për vrasjen e biznesmenit në Shqipëri”, shkruan se “Krimi ndodhi një javë më parë dhe tashmë autoritetet kanë lëshuar urdhër-arresti ndaj Ruben Saraivës, katër britanikëve dhe një shqiptari që udhëtuan nga Britania e Madhe për të kryer ekzekutimin.”
“Krimi mund të lidhet me mafian shqiptare dhe do të jetë një vrasje me porosi. Drejtori i policisë Muhamet Rrumbullaku, duke folur për mediat, identifikoi portugezin si autorin e vrasjes së Ardian Nikulajt, në Lezhë. Ekzekutimi është filmuar dhe në pamjet e bëra publike, sipas autoriteteve shqiptare, Ruben Saraiva hyri i qetë brenda restorantit të Ardian Nikulajt dhe e qëlloi nga afër me pistoletë shtatë herë. Raportohet se grupi arriti të arratisej dhe të kthehej në Mbretërinë e Bashkuar.”, thuhet më tej në artikull.

Zbardhja e ngjarjes nga Policia
Gjashtë persona janë shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj.
Ekzekutori është identifikuar si Ruben Saraiva, ndërsa bashkëpunëtorët janë Edmond Haxhia Done, shtetas shqiptaro- britanik; Harry Simson, shtetas britanik, Harriet Bridgeman, shtetase britanike; Thomas Mithan, shtetas britanik dhe Steven Hunt shtetas britanik.
Policia e Shtetit në një deklaratë zyrtare tha se pista ku po hetohet vrasja e Nikulajt është gjakmarrja.
Sipas informacioneve, Elton dhe Klodian Lestakaj, të cilët jetojnë në Angli, ishin në gjak me Nikulajn. Edmond Haxhia është djali i dajës së tyre dhe dyshohet se ishte ai që porositi vrasësit.
Megjithëse kontrollet vijojnë prej 19 prillit në zonën e Gjadrit, policia ende nuk ka mundur të gjejë motorin e përdorur nga vrasësi i biznesmenit Ardian Nikulaj, dhe as ka arritur të shpjegojë me prova ligjore se si ka vijuar lëvizja e tij më tej.
Në një banesë në fshatin Gjadër policia gjeti pjesërisht të djegura disa veshje që dyshohet se janë të ekzekutorit të biznesmenit. Ato po ekzaminohen në laboratorin shkencor.Nga vëzhgimi i imtësishëm i pamjeve të kamerave të sigurisë ka rezultuar se ekzekutori I biznesmenit Ardian Nikulaj ka mbërritur pranë vendit të ngjarjes 8 orë para vrasjes.
Gjatë kësaj kohe ai ka qëndruar në një pallat në ndërtim nga ku ka dalë vetëm pasi është njoftuar se ishin krijuar kushtet e përshtatshme për kryerjen e ekzekutimit në lokalin ‘Coral’. Pallati në ndërtim e sipër ku qëndroi i fshehur vrasësi është rreth 100 metra larg vendit ku ndodhi vrasja.
Lini një Përgjigje