
Në Gjykatën e Posaçme vijon seanca për vrasjen, rrëmbimin e zhdukjen e Jan Prengës, me të pandehur, Dritan Rexhepin dhe Aldo Majnishtën.
Gjatë seancës, Gjykata ka bërë të ditur se ka mbërritur në Shqipëri një letërporosi që lidhet me marrjen në pyetje të dy dëshmitarëve, Astrit Prenga, vëllai i viktimës, dhe Gëzim Shullani.
Sipas përmbajtjes së letërporosisë, autoritetet britanike kërkojnë më shumë informacion përpara se të procedojnë me marrjen në pyetje të dëshmitarëve.
“Para se të rishqyrtojmë kërkesën tuaj, duam të dimë statusin penal të personave që do të dëshmojnë, detaje mbi pyetjet që do t’u bëhen, akuzat për të cilat kërkohen dëshmitë, si dhe sesi dëshmia e tyre mund të shërbejë në hetimin e SPAK”, thuhet në letërporosi.
Në të njëjtën letërporosi, theksohet se policia britanike do të ngarkohet për marrjen e dëshmive, duke u bazuar në pyetjet që do t’u vihen në dispozicion nga autoritetet shqiptare.
Ndërkohë sot, gjykata duhet të marrë vendim nëse do t’u vihet në dispozicion mbrojtësve komunikimi i plotë nga aplikacioni SKY ECC, në kuadër të një procesi ku të pandehurit akuzohen për veprimtari kriminale të organizuar.
SPAK, i përfaqësuar nga prokurorët Elida Kaçkini dhe Behar Dibra, këmbëngul se komunikimet e përfshira në dosje janë të plota, për aq sa lidhen me këtë çështje.
“Duhet të qartësoj se mes të pandehurve në këtë proces gjyqësor, komunikimet janë të plota. Ato që janë hequr janë komunikime të tyre me persona të tjerë. Në këtë kuptim ne i qëndrojmë sekretit hetimor, pasi për Dritan Rexhepin kemi dyshime edhe që është i përfshirë në trafikun e drogës. Në këtë gjykim ai është i pandehur për tjetër vepër penale”, tha prokurorja Kaçini.
Nga ana tjetër, mbrojtja kundërshton mënyrën se si SPAK ka përzgjedhur komunikimet që konsideron si prova, duke theksuar se komunikimet e munguara mund të jenë të domosdoshme për një mbrojtje efektive të klientëve të tyre.
Pas diskutimeve, palët ranë dakord mbi vijimin e procedurës, ndërsa seanca e radhës u caktua për datën 20 qershor, ora 10:00.
Lini një Përgjigje