Një mjet tip ‘X5’ e djegur është gjetur në afërsi të Bubqit në Fushë-Krujë me dy kallashnikovë në brendësi të saj. Dyshohet se mjeti u përket autorëve të atentatit mafioz që tronditi mbrëmjen e djeshme kryeqytetin. Ata qëlluan me breshëri kallashnikovi në brendësi të lokalit të Fatjon Muratit, pak kohë pasi ky i fundit ishte liruar nga qelia.
Nga breshëria e armëve mbeti e vrarë një grua, Mimoza Paja, dhe u plagosën 5 të tjerë. Ndërkohë, ‘objektiv’ i atentatit dyshohet të jetë xhaxhai i Fatjon Muratit, një emër i njohur për botën e krimit, Seit Murati, i cili mbeti i plagosur.
Ndërkohë breshëria e plumbave nuk kurseu as klientët e lokalit që në kohën kur ndodhi sulmi ishin duke parë një ndeshje futbolli, ndërsa bëhet fjalë për shtetasit Astrit Meraj, Emanuel Sala, Ermir Bejuku, Genc Shohalli. Po ashtu e lënduar ka mbetur dhe një 10-vjeçare, e cila është mbesa e viktimës.
Lini një Përgjigje