
Në seancën e radhës për dosjen “Plumbi i Artë” në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), ka dëshmuar sërish i pandehuri Henrik Hoxha, i akuzuar si pjesë e skuadrës së vrasësve me pagesë të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani.
Gjatë marrjes në pyetje nga prokurorët e SPAK dhe palët në sallë, Hoxha u ndal te njohjet me personazhe të përfshirë në dosje, mes tyre persona të vrarë në atentate, të akuzuar si drejtues grupesh kriminale apo të dyshuar si porositës.
Hoxha deklaroi se e njeh Festim Qolin prej rreth 20 vitesh, por shtoi se ky i fundit nuk i kishte folur ndonjëherë për Nuredin Dumanin. “E kam njohur tek ditëlindja e Festimit”, u shpreh ai.
Sa i përket vrasjes së Elvis Dedjes, Hoxha mohoi përfshirjen, duke thënë se kishte dijeni vetëm për faktin që Dedja kishte qenë ortak biznesi me Qolin. “Nuk e kam kryer unë vrasjen e tij dhe nuk di kush e ka bërë”, deklaroi ai.
Ai mohoi gjithashtu se kishte takuar ndonjëherë Erion Alibejn, i njohur si “Krymi”, edhe pse pranoi se sipas Dumanit, informacionet për disa ngjarje vinin prej tij.
Në dëshminë e tij, Hoxha pranoi përfshirjen në vrasjen e Dorian Shkozës, duke thënë se porosia kishte ardhur nga Erion Alibej, ndërsa ndërmjetës kishte qenë Nuredin Dumani. Sipas tij, motivi lidhej me dyshime për përfshirjen e Shkozës në vrasjen e familjarëve të Alibejt.
Hoxha foli edhe për atentatin ndaj Lulëzim Mashës, pronarit të një shkolle private në Tiranë, ngjarje e mbetur në tentativë. Ai deklaroi se kishte marrë pjesë në organizimin e saj, ndërsa porosia, sipas tij, kishte ardhur nga vëllezërit Dizdari për motive borxhi. Për këtë atentat, ai tha se kishte marrë një pagesë fillestare prej 10 mijë eurosh.
Në dëshmi u përmend edhe emri i Sokol Sanxhaktarit, për të cilin Hoxha tha se ishte diskutuar një atentat me pagesë 200 mijë euro, por që nuk ishte realizuar. Ai mohoi të kishte shkuar ndonjëherë në Elbasan për ta vëzhguar.
Hoxha mohoi gjithashtu njohjen me Suel Çelën, ndërsa për Oltion Kilën, i njohur si “Oti”, deklaroi se emri i tij ishte pjesë e një liste personash që, sipas tij, Nuredin Dumani kishte përpiluar për t’u eliminuar. Sipas dëshmisë, më vonë Dumani kishte pretenduar se kishte informacion se Kila kishte strehuar Talo Çelën.
Seanca u zhvillua mes pyetjesh të shumta nga prokurorët dhe mbrojtja, ndërsa procesi ndaj të pandehurve në dosjen “Plumbi i Artë” vijon në GJKKO.
Me ne fund po del e verteta ,dumani te 90 perqind e ngjarjeve nuk ka qen ,eshte i vllai qe ka marr pjes ,ky ka marr vendin e tij per te perfituar statusin me marrveshje me Altin Dumanit dhe per ti ber gropen njerzve duke i ven dhe gjoba