
GJKKO ka lënë në burg ish-drejtorin e ARRSH-së, Evis Berberi, dhe dy biznesmenët e arrestuar dy ditë më parë, Valter Begaj dhe Ervis Lami, nën akuzën për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Avokati i tij, pretendoi se ky është një proces juridiko-civil por që është kthyer në një proces penal. Sipas tij Berberi nuk ka përfituar në mënyrë të padrejtë nga asnjë tender.
Drejtuesi i Autoritetit Rrugor Shqiptar Evis Berberi është arrestuar tre ditë më parë me urdhër të Prokurorisë së Posaçme anti-Korrupsion, disa orë pasi doli nga zyra, pasi ndaj tij janë ngritur akuzat për pastrim parash dhe korrupsion. Ndërkohë disa ditë më parë agjentët e SPAK dhe BKH i bastisën banesën, ku iu sekuestruan një sërë sendesh personale si celularë, laptop dhe dokumente.
Kujtojmë që Evis Berberi është një ndër drejtuesit e afërt të ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku.
Berberi u emërua në krye të ARRSH në qershor të vitit 2021, ku zëvendësoi në këtë detyrë, Ergys Vjerdhon, edhe ky i fundit nën hetim nga SPAK për dyshime se është përfshirë në afera korruptive.
Lini një Përgjigje