
Policia ka arrestuar një 33-vjeçar pasi po tentonte të kalonte sende me vlerë kontrabandë.
Ai u kap në Pikën Kufitare të Morinës, me bizhuteri floriri dhe ora dore me vlerë rreth 50 000 euro. Policia sekuestroi gjithashtu automjetin tip “Audi”.
I riu akuzohet për veprat penale “kontrabanda më mallra të tjera” dhe “mosdeklarimi në kufi, i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

“Shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në vijim të kontrolleve për goditjen e krimeve ndërkufitare, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të Shqipërisë, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të detajuar, automjetin tip “Audi”, me drejtues shtetasin Q. S. Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë gjetën bizhuteri floriri dhe ora dore, të cilat ai nuk i kishte deklaruar sipas ligjit. Bizhuteritë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin”, bëri me dije policia vendore.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua edhe shoferi i mjetit që po bënte kontrabandën, Q. S., 33 vjeç, banues në Gjermani, për veprat penale “kontrabanda më mallra të tjera” dhe “mosdeklarimi në kufi, i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, njoftoi policia.
Lini një Përgjigje