Kush duhet të përgjigjet për jetët që humbin çdo ditë në rrugët e Shqipërisë si të ishim një vend në luftë...
Pamje të denja për një film horror ishin ato të dy ditëve me parë, kur një kalimtar që preu rrugën në Unazën e re në Astir, fluturoi disa metra në ajër nga një makinë që nuk arriti të frenonte në kohë. Pamjet shokuan opinionin publik dhe disa deklarata të dhëna nga specialistë të qarkullimit rrugor e shtuan akoma më shumë konfuzionin.
Me të drejtë specialistët thonë se kuadri ynë ligjor, për raste të ngjashme, ka boshllëk. Nëse tabelat e ndalojnë qarkullimin e këmbësorëve dhe kalimtari pret rrugën, si në rastin e para dy ditëve, nëse makina është brenda limiteve të shpejtësisë, a duhet të mbajë shoferi përgjegjësi? Sado dramatike të duket pyetja kur bëhet fjalë për një jetë të humbur, drejtësia vihet në pozitë të vështirë. Ligjet në Shqipëri merren shabllon nga vendet e tjera dhe shumë rrallë, për të mos thënë asnjëherë, nuk janë përshtatur me Shqipërinë. Ky është njëri prej tyre.
Por a do të quhej e zgjidhur situata nëse ligji do të funksiononte dhe fajtori të ishte gjendur juridikisht?
Në këtë rast dhe qindra të tjera të ngjashme jo! Sepse rrugët në Shqipëri janë ndërtuar për të vrare njerëz dhe Unaza e Re e Tiranës është vetëm njëra prej tyre.
Nuk po i hyjmë fare kuçedrave që u janë shpërndarë milionat e eurove për ndërtimin e Unazës së madhe të Tiranës. Janë të njëjtit arrogantë e mafiozë që marrin para edhe në Tiranë, edhe në Vlorë, Bregdet e kudo ku kjo qeveri ka lëshuar dorën. Të njëjtit që rrinë në treg me tenderë të fituar në mënyrë të dyshimtë e kompani mafioze me rrënjë të fshehura nëpër offshore me nam në botë. Janë të njëjtit përbindësha që vjedhin e ndajnë paratë e shqiptarëve mes vedi dhe që janë aq të zënë me këtë punë sa, as japin dhe as u kërkon kush llogari për viktimat që përgjakin rrugët e tyre.
Rasti i dy ditëve më parë është krejt i freskët. Qytetarët janë ankuar shumë herë se në projektin e Unazës së Re, projektuesit "kanë harruar" të parashikojnë nën dhe mbi kalime për këmbësorët. Ose në projekt janë, por në realitet jo. Konkretisht për zonën nga Dogana deri tek vendi i njohur si "rrethi i Astirit", ku ndodhi aksidenti dy ditë më parë, banorët janë ankuar shumë herë se nuk kanë asnjë mundësi për të kapërcyer rrugën si këmbësorë. Prandaj ndodh ajo që pamë nën pushtetin e tmerrit. Për tu kthyer në shtëpi ose për të shkuar në punë, kalimtarët presin rrugën me disa korsi dhe shumë herë përfundojnë të vdekur në asfalt. Atëherë pse diskutohet kuadri ligjor dhe nuk niset me projektin për të cilin kjo qeveri ka paguar miliarda.
Pse nuk i kërkohet llogari "Salillarit, "Bajrami N", kompanisë së famshme "2T", Gjoka Konstruksion, gjithashtu e famshme për milionat e vjedhura në rrugë që nuk i mbylli kurrë, Alb Starit, GPG Company, Euroteoremës dhe 4AM - pra manjatëve që e kanë çuar koston e një kilometri rrugë në 20 milion euro, për mbikalimet që as i kanë menduar në projekte?
Ata po ndërtojnë dhe mafiozët e pushtetit iu dhanë aq sa deshën, po për përdoruesit e kësaj rruge pse nuk i harxhuan 2 lekë?
A kanë projektet e tyre të parashikuara mbikalime për këmbësorët? Nëse jo, pse? Nëse po, pse nuk janë ndërtuar?
Kush duhet të përgjigjet për jetët që humbin çdo ditë në rrugët e Shqipërisë si të ishim një vend në luftë.
Dy ditë më parë një njeri humbi jetën në Unazën e re në zonën e Astirit. Një shofer u burgos dhe cilido qoftë dënimi për të, trauma e atij aksidenti do ta shoqërojë gjithë jetën. Por a u çua haka tek i zoti?/Pamfleti
Lini një Përgjigje