TAGS-AT E JAVËS

Kronike 1 Mars 2025, 13:50

I shpëtoi atentatit me breshëri plumbash në Kamzë, procedohet penalisht shënjestra Enedjon Kaçi; akuzat ndaj tij

Shkruar nga Pamfleti

I shpëtoi atentatit me breshëri plumbash në Kamzë,

Policia ka proceduar penalisht 30-vjeçarin Enedjon Kaçi, i cili i shpëtoi atentatit me breshëri plumbash në Kamzë më 22 shkurt.

Sipas policisë, shënjestra e atentatit është proceduar në gjendje të lirë për moskallëzim krimi.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 u kap dhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin e shpallur në kërkim E. K.,  30 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim krimi, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Kamëz, me datë 22.02.2025", njofton policia.

Ndërkohë më 24 shkurt, policia vendosi në pranga një 17-vjeçar, i cili dyshohet se drejtonte automjetin nga i cili u qëllua me armë zjarri ndaj makinës së Enedjon Kaçit.

Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se adoleshenti, i nxitur nga persona të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje, ka dhënë deklaratë të rreme në përpjekje për të penguar hetimet.

Për këtë arsye, ai është vënë në pranga nga specialistët e Hetimit të Krimeve të Komisariatit të Policisë Kamëz dhe akuzohet për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës“, “Deklarata e rreme para oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.

Ndërkohë, janë në kërkim nga policia dy 24-vjeçarët Dejvi Mullai dhe Fabion Kurti, të cilët qëlluan me armë zjarri ndaj Enedjon Kaçit, si edhe vetë shënjestra, të tre banues në Kamëz.

Sipas hetimeve, atentati i dështuar ndodhir rreth orës 22:00 pranë rrethrrotullimit “Ulliri” në bulevardin “Nënë Tereza” në Kamëz.

Dy autorët e dyshuar, Dejvi Mullai dhe Fabion Kurti, qëlluan me breshëri plumbash nga një makinë tip “BMW X5” në drejtim të mjetit “Land Rover” me të cilin po lëvizte Enedjon Kaçi. Megjithatë, asnjë nga plumbat nuk e preku shënjestrën.

Pas atentatit, autorët u larguan me shpejtësi në drejtim të qendrës së Kamzës dhe më pas braktisën automjetin në rrugën “Valeta”, duke u arratisur me një tjetër makinë tip “Golf” të bardhë. Nga ana tjetër, Enedjon Kaçi u largua në drejtim të Kodër Institutit, ku braktisi makinën e tij pranë një karburanti. Hetimet kanë konfirmuar se në krahun e majtë të mjetit të tij kishte dëmtime nga plumbat.

Lini një Përgjigje